Fjalë Kyçe

Miftaraj: Hoxhiq bëri matematikë të gabuar

Miftaraj: Hoxhiq bëri matematikë të gabuar

Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka thënë se Adriana Hoxhiq ka bërë matematikë të gabuar në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ai ka thënë se Hoxhiq duhet ta kuptojë që në Kuvendin e Koosvës janë 120 vende të rezervuara, 100 për shqiptarët dhe 20 për komunitetet joshumicë në Kosovë.

Miftaraj në Interaktiv të KTV-së ka thënë se Hoxhiq 90 për qind të votave i ka fituar në komunat me shumicë serbe.

“Në ankesën qe kemi përgatitur kemi demonstruar se në zgjedhjet e vitit 2017-19 partitë boshnjake kanë fituar një numër të papërfillshëm të votave në këto lokalitete. Vendimi i PZAP ishte aq mirë i arsyetuar sa që nuk i ka lënë asgjë rastësisë. Ne kemi kërkuar që të anulohen 10 mijë vota që dyshohet se Lista Serbe ka bërë marrëveshje me Hoxhiqin dhe dy parti tjera. PZAP në Mitrovicë e ka marrë si standard që jetojnë 1 mijë boshnjakë dhe sipas të dhënave të OSBE-së, nuk janë anuluar të gjitha votat, ka lënë 1 mijë vota, në mënyrë që të mos ketë vend për ankesë”, ka thënë ai.

Miftaraj tutje ka shtuar se edhe nëse këto vota serbe anulohen nuk është se preken vendet e tyre në Kuvend.

Drejtor i IKD-së, vlerëson se vendimi i sotëm i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për të anuluar votat e disa partive të komuniteteve jo serbe në komunat me shumicë serbe, është i drejtë dhe në frymën kushtetuese.

Miftaraj në një intervistë në Interaktiv, tha se kjo që ka ndodhur në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë, për të devijuar vullnetin e partive të komunitetit joshumicë, është parë në Poloni, Moldavi e Bosnjë-Hercegovinë.

“Në këtë kuptim, vendimi i PZAP-së ka qenë në drejtim të asaj që institucionet e kanë për obligim për të zbutar ligjin, për të promovuar të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë sa i përket përfaqësimit efektiv dhe legjitim të komuniteteve joshumicë në Kosovë, për t’u siguruar që lidhja efektive të jetë në linjë me ata që nesër do t’i përfaqësojnë nesër në Kuvendin e Kosovës. Kushtetuta e Republikës është konsensuale, që nënkupton se me shpalljen e pavarësisë, Kosova ka marrë disa obligime ose disa zotime në raport me shtetet që do ta njohin pavarësinë se do të respektojë të drejtat e komuniteteve joshumicë. Në këtë kuptim edhe vendimi i PZAP-së ka qenë në frymën kushtetuese”, ka thënë Miftaraj.

Sipas tij, arsyetimi i PZAP-së mund të mos jetë më profesionali i mundshëm, por këtë e ka arsyetuar me numrin e madh të ankesave, 208, të cilat është dashur t’i trajtojë për 72 orë.

“Por për këtë ka edhe një shkallë për ankesa, është Gjykata Supreme, ku palët e pakënaqura mund të ankohen deri nesër pasdite dhe më pas Supremja ka 72 orë për të marrë vendime”, ka thënë ai.

Sot, PZAP-ja anuloi votat e dy partive boshnjake dhe një egjiptiane të marra në komunat me shumicë serbe.