Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi i ka dërguar letër kryeministrit Albin Kurti lidhur me Komisionin për Provimin e Jurisprudencës. Ai ka kërkuar nga Kurti që të anulojnë vendimin për emërimin e Albert Zogajt në krye të Komisionit për Jurisprudencë, pasi i njëjti i mban tetë pozita në institucione publike e private.
Ai përmes një postimi në Facebook nga ku edhe ka publikuar letrën e dërguar Kurtit ka thënë se IKD-ja shpreh konsideratë të lartë për Ministrinë e Drejtësisë për të ndërmarrë veprime të shpejta për të funksionalizuar Komisionin, duke njohur rëndësinë e tij dhe kërkesat e juristëve të rinj për të realizuar të drejtën e tyre për dhënien e këtij provimi të rëndësishëm për karrierën dhe të ardhmen e tyre.
IKD-ja po ashtu, sipas tij ka vlerësuar në masë të madhe integritetin personal dhe profesional të emrave të propozuar për këtë komision, përjashtimisht Kryetarit, Albert Zogaj.
Sipas Miftarajt, Zogaj, përveç detyrës së tij parësore si gjyqtar në Gjykatën Supreme, aktualisht ushtron një numër të madh të pozitave në sistemin gjyqësor, në fushën akademike dhe atë të sektorit të shoqërisë civile.
Albert Zogaj, në sistemin gjyqësor ushtron: Pozitën e gjykatësit në Gjykatën Supreme të Kosovës, anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, anëtar rezervë në Komisionin e Përhershëm për Administrimin e Gjykatave (KGJK), anëtar i Komisionit Vlerësues për kandidatët për Kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren (KGJK), dhe anëtar i grupit punues për hartimin e raportit fakt-mbledhës për funksionimin e administratës gjyqësore (KGJK).
Sipas tij Zogaj po ashtu ka edhe këto angazhime shtesë si ligjërues në Kolegjin AAB, trajnues në Akademinë e Drejtësisë dhe kontratë aktive si konsulent më një Organizatë Jo-Qeveritare.
“Për më tepër, në KGJK ishte propozuar për kryetar të Komisionit të Përhershëm për Vlerësimin e Performancës së Gjykatësve, pozitë që e ka refuzuar me arsyetimin se është shumë i ngarkuar me punë. Një qasje e tillë nuk përkon me integritetin e një zyrtari publik, të hezitoj të marr përgjegjësi në një komision kaq të rëndësishëm në sistem gjyqësor dhe të pranoj përgjegjësi që vinë nga dy pushtete tjera si ekzekutivi dhe legjislativi në rastin konkret. Fenomeni i zyrtarëve publik që në të njëjtën kohë ushtrojnë disa funksione, është parashtruar si çështje që cenon dhe dëmton rëndë integritetin dhe besimin institucional por edhe individual të zyrtarëve publik nga shoqëria civile, njohur dhe përkrahur edhe nga partnerët ndërkombëtar dhe partia që Ju udhëhiqni. Mu për këtë, në vitin 2018, ishte miratuar Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, si kusht për liberalizimin e vizave dhe Agjendën e Reformës Evropiane. Sipas kërkesës së shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtar, ky ligj ka rregulluar së paku dy fusha të rëndësishme që lidhen me këtë shkresë”, ka shkruar ai.
Sipas Miftarajt, përderisa fenomeni i emërimit të zyrtarëve të caktuar në numër të madh të pozitave e funksioneve ka qenë një praktikë e pranuar nga qeveritë e kaluara, IKD shpreson se një qasje e tillë nuk do të tolerohet dhe të jetë e pranueshme dhe të legjitimohet edhe nën qeverisjen e Kurtit.
Sipas tij, ushtrimi i një varg pozitave dhe funksioneve të zyrtarit publik brenda orarit të punës dhe pranimi i disa pagave dhe shpërblimeve përmes shtesave apo kompensimeve me para të buxhetit të Kosovës, përveç që shkel Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe Kodin Penal të Kosovës, po ashtu cenon rëndë integritetin e sektorit publik dhe garantimin e kryerjes së detyrave publike në mënyrë efikase, objektive, të paanshme dhe transparente dhe në shërbim të interesit publik.
“Aq më tepër kur në situata të tilla përfshihen gjykatës dhe prokurorë, funksione të cilat në çdo shoqëri demokratike konsiderohen si funksione fisnike, dhe se të njëjtit do të duhej të ishin kampion të ndershmërisë, integritetit dhe respektimit të ligjshmërisë, në mënyrë që të njëjtit të jenë shembull për t’u ndjekur edhe nga zyrtarët e sektorit publik. Për të ilustruar këtë problematikë, Ju informoj se në bazë të deklarimeve të pasurisë të bëra në vitin 2020, ka pasur prokurorë apo gjykatës që kanë pranuar shpërblim në pagë dhe kompensime që kanë arritur vlerën e 54 mijë euro në vit, dhe ku numri i tyre që pranojnë mes 34 deri 40 mijë euro brenda vitit është më dhjetëra. Në këtë mes hyn edhe z. Zogaj, dhe kjo shumë do të rritej edhe për disa mijëra euro, nëse i njëjti do të kalojë në votim nga Kuvendi i Kosovës”, ka shkruar ai.