Fjalë Kyçe

Mijëra kosovarë ia mësyejnë bregdetit shqiptar, nuk frikësohen nga pandemia

Mijëra kosovarë ia mësyejnë bregdetit shqiptar, nuk frikësohen nga pandemia

Rreth 22 mijë persona kanë dalë nga Kosova përmes pikave kufitare dhe ia kanë mësyrë Shqipërisë këtë vikend. Derisa që nga e premtja e deri në paraditen e së dielës, në Kosovë kanë hyrë rreth 17 mijë persona, e të cilët u janë nënshtruar kontrolleve mjekësore.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, dita kur numri më i madh i personave që kanë shkuar në drejtim të Shqipërisë ka qenë e shtuna, ku nga Kosova kanë dalë 8 mijë e 462 persona.

Zyrtarë të pikës kufitare në Vërmicë, prapa kamerës kanë thënë se që nga hapja e kufijve tokësorë, këtë vikend ka pasur më shumë turistë drejt Shqipërisë, çka i ka shtyrë të punojnë me kapacitete të plota.

Vetë qytetarët të cilët u kthyen nga atje, disa prej të cilëve kishin përfunduar pushimet, thonë se nuk janë frikësuar nga infektimi i mundshëm.

Por, të shqetësuar janë zyrtarët e Komunës së Prizrenit, që apelojnë për kujdes të shtuar. “Koha” ka pyetur edhe Ministrinë e Shëndetësisë për këtë, mirëpo ata nuk janë përgjigjur.

Në Shqipëri të dielën janë konfirmuar edhe 71 raste të reja me COVID-19, duke e çuar numrin e të infektuarve në afër 2 mijë.