India ka regjistruar mbi 7 milionë të infektuar me koronavirusin e ri pasi në 24 orët e fundit u konfirmuan edhe 74,383 raste të reja me COVID-19.
Autoritetet fajësojnë për ritmet e larta të infektueshëmrisë, pakujdesinë e njerëzve të cilët sipas tyre neglizhojnë vendosjen e maskave mbrojtëse.
Ndërkaq, në Shtetet e Bashkuara, më 10 tetor është shënuar numri më i lartë i rasteve të reja me COVID-19 në dy muajt e fundit, konkretisht 58,302 raste të reja.
Brazili ka regjistruar 559 viktima të reja me koronavirus, duke bërë që numri i përgjithshëm i rasteve që kanë përfunduar me fatalitet të kalojë shifrën prej 150,000. Ndërkaq, Franca ka regjistruar pothuajse 27,000 raste të reja me koronavirus.
Më 11 tetor, në Teheran të Iranit është bërë e detyrueshme mbajtja e maskës. Numri i viktimave në këtë vend, që është më i godituri nga koronavirusi në Lindjen e Mesme, vetëm gjatë kësaj jave ka arritur në 239.
Në kryeqytetin rus, Moskë, zyrtarët thanë më 11 tetor se ata do të vendosnin masa të reja kufizuese për të ndalur “trendin negativ epidemiologjik”. Zyrtarët thanë se masat kufizuese do të vendosen në qendra tregtare, restorante dhe hapësira të tjera publike. Moska vazhdon të jetë rajoni më i goditur në Rusi dhe ka të konfirmuar mbi 312,000 raste me COVID-19.