Mijëra njerëz janë mbledhur para ndërtesës së Komunës së Stambollit për ta kundërshtuar vendimin e gjykatës për të dënuar me burgim kryebashkiakun e qytetit dhe për t’ia pamundësuar pjesëmarrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, shkruan AP.
Gjykata e Stambollit, të mërkurën, ka dënuar Ekrem Imamoglun nën akuzat për fyerjen e anëtarëve të Këshillit Suprem të Zgjedhjeve. Ai është dënuar me dy vjet e shtatë muaj burgim dhe i është mohuar pjesëmarrja në politikë.
Partitë opozitare, të cilat kanë vënë në dyshim pavarësinë e gjyqësorit nën pushtetin autoritar të presidentit Recep Tayyip Erdogan, kanë thënë se gjykimi është përpjekje për të eliminuar kundërshtarët e Erdoganit.
Imamoglu do ta apelojë vendimin dhe mbetet kryebashkiak i Stambollit deri sa të konfirmohet vendimi nga Gjykata e Lartë e Apeleve. Erdogani, i cili erdhi në pushtet në vitin 2003 fillimisht si kryeministër dhe tani si president, në zgjedhjet presidenciale të qershorit do të kërkojë mandatin e ri pesëvjeçar.