AC Milan zhvilloi një pjesë të dytë të mirë për të triumfuar me përmbysje përballë rivalit lokal, Interit. “Rossonerët” triumfuan 1:2 ndaj kampionit aktual të Serie A, duke rritur kështu në maksimum gjasat për titull.
Por, ishin zikaltrit ata që kaluan të parët në epërsi nëpërmjet Perisicit. Kroati shënoi në minutën e 38-të të ndeshjes, pasi u asistua nga ish-ylli i Milanit, Hakan Calhanoglu.
Me rezultatin 1:0 për kampionin në fuqi u mbyllën 45 minutat e parë të ndeshjes. Por, në pjesën e dytë ishte një pasqyrë tjetër, teksa Milani rrëmbeu fitoren në fund.
Ishte Olivier Giroud që shënoi dy herë radhazi brenda tre minutave, shkruan Gazeta Express.
Fillimisht, ai realizoi në minutën e 75-të, duke u gjendur në vendin dhe kohën e duhur për ta dërguar topin në rrjetë.
Tre minuta më vonë, një goditje jo e fuqishme e sulmuesit francez i iku nga duart portierit të Interit, Handanovic, me ç’rast Milani kaloi në epërsi.
Deri në fund, Interi tentoi ta gjente golin e barazimit, por kuqezinjtë nuk lejuan befasi.
Në minutën e 90+6 të ndeshjes, Theo Hernandez u ndëshkua me karton direkt të kuq për një ndërhyrje të ashpër nga mbrapa
Me këtë fitore, Milan ngjitet në vendin e dytë me 52 pikë, një më pak se Interi i cili ka një ndeshje më pak të luajtur.