Fjalë Kyçe

Milani ka tri kërkesa para derbit kundër Interit

Milani ka tri kërkesa para derbit kundër Interit

Milani i Marco Giampaolos ka arritur të marrë 6 pikë nga 9 të mundshmet në këtë start të kampionatit, por në prag të derbit me Interin, situata në kampin kuqezi nuk është aspak e qetë dhe optimiste.

Sipas raportimeve të mediave italiane, dje në qendrën stërvitore në Milanello ka qenë edhe drejtuesi i klubit, Zvonimir Boban, që në fund të seancës stërvitore ka pasur një takim të gjatë me trajnerin Giampaolo.

Tre kanë qenë çështjet që kanë zënë kohën më të rëndësishme të bisedës së tyre në prag të derbit dhe pikërisht mungesa e lojës, mosaktivizimi i futbollistëve të ardhur vetëm këtë verë dhe braziliani Paqueta.

Sa i përket të parës, Giampaolo u emërua trajner i Milanit, pikërisht se kishte treguar ndër vite që di t’i bëjë skuadrat e tij të luajnë bukur në fushë, por pas 3 ndeshjesh zyrtare, kjo cilësi nuk është parë te kuqezinjtë dhe Boban ia ka vënë në dukje teknikut këtë fakt, transmeton “SuperSport”.

Leao, Rebiç, Kruniç, Bennacer, Duarte, janë disa prej afrimeve të Milanit gjatë merkatos së verës, por në 3 ndeshjet e para, të gjithë bashkë këta, kanë luajtur vetëm 135 minuta (Bennacer 90’, Rebiç 45’, Leao 20’), ndërsa boshnjaku e braziliani nuk e kanë prekur ende fushën e blertë.

Drejtuesit e klubit janë të bindur që kanë afruar lojtarë me cilësi dhe Boban ka qenë i prerë në kërkesën për trajnerin Giampaolo, që të integrojë sa më shpejt këta futbollistë në formacionin e Milanit.

Çështja e fundit është ajo e brazilianit Paqueta, i cili nuk po shprehet siç duhet nën drejtimin e Giampaolos, ndërsa mes të dyve nuk kanë munguar as “shkëndijat” në distancë ose drejtpërdrejtë.

Boban i ka bërë të qartë trajnerit se braziliani është një nga “thesaret” e këtij Milani dhe se duhet gjetur sa më shpejt një zgjidhje taktike, që ai të mund të shprehet më së miri në fushë dhe të mos zhvlerësohet.

Takimi i radhës për Milanin do të jetë derbi i të shtunës në mbrëmje përballë Interit, ndërsa sfida e vërtetë e Giampaolos do të jetë të ndërtojë një formacion ku të marrë parasysh porositë e Boban dhe njëkohësisht të mos rrezikojë një shfaqje të shëmtuar.