Fjalë Kyçe

Milicaj mesazh rivalëve: Dukagjini do të inkuadrohet në Superligë

Milicaj mesazh rivalëve: Dukagjini do të inkuadrohet në Superligë

Konkurrenca në Ligën e Parë në futboll për pozitën e parë që siguron rikthimin në Superligën e Kosovës në futboll është shumë e madhe, pas aty renditen skuadra të dëshmuara dhe me potencial të jashtëzakonshëm sikurse janë Besa, Vushtrria, Vëllaznimi dhe Trepça nga Mitrovica.

Megjithatë, futbollisti me përvojë të madhe Mark Milicaj, i cili në afatin kalimtar të verës iu bashkua Dukagjinit, është optimist se skuadra nga Klina mund të jetë edicionin tjetër në elitë.

Milicaj për “Epokën e re”, po ashtu e vlerësoi sezonin vjeshtor si pozitiv për skuadrën nga Rrafshi i Dukagjinit.

“Besoj se, po të kishim më shumë fat, do të kishim edhe më shumë pikë dhe do të ishim edhe më lart në renditjen tabelore, por në përgjithësi nuk jemi keq. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm nuk besoj se do ta kemi problem inkuadrimin në Superligë, ani pse konkurrenca është jashtëzakonisht e fortë”, ka thënë Milicaj.

Tri skuadrat kryesore që do të konkurrojnë ndaj Dukagjinit të Klinës, Milicaj i ka vlerësuar Besën e Pejës, Vushtrrinë dhe Vëllaznimin e Gjakovës. Futbollisti me tipare sulmuese që ka bërë karrierë edhe në Besën e Pejës, Istog dhe Feronikel, ka thënë se skuadrës nga Klina i duhen edhe përforcime për të qenë më serioze drejt synimeve që ka në këtë edicion garash.

“Kemi futbollistë të shkëlqyer në skuadër, por për të qenë konkurrent i fortë me skuadrat e tjera, mendoj se Dukagjinit i duhen edhe tri përforcime. Pranvera do të jetë interesante dhe skuadrat do të kërkojnë me ngulmë arritjen e objektivave që kanë”, ka deklaruar ai.

Skuadra e Dukagjinit sezonin vjeshtor e mbylli e eliminuar nga Kupa e Kosovës dhe me fitore në kampionat ndaj Fushë-Kosovës me rezultat 0-1.

Në renditjen tabelore kjo skuadër që e kërkon inkuadrimin në Superligë që disa vjet radhazi, është e treta me 33 pikë, dy pikë me pak se Besa që është e dyta dhe pesë më pak se Vushtrria që renditet në pozitën e parë.