Vetëm rreth 60% të pagës e kanë marrë sot minatorët e kombinatit Trepça. Kjo ka bërë që këta të fundit të paralajmërojnë sërish grevë.
Minatorët janë shprehur të pakënaqur që nuk kanë marrë pagat e plota, dhe si shenjë proteste sot nuk kanë hyrë në minierë deri në orën 09:00.
Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku ka thënë për Telegrafin se minatorët kanë dhënë afat deri javën e ardhshme, që të plotësohet edhe pjesa tjetër e pagave.
“Sot janë proceduar një pjesë e pagave me 63% veç. Dhe sot punëtorët deri në ora 09:00 nuk janë hyrë në minierë. Arsyeja dihet që nuk ka mjete. Alokimi pritet të bëhet nga buxheti i Kosovës, që janë diku 4 milionë, dhe aty pritet të plotësohet edhe kjo pjesa e pagave”, ka thënë Sadiku.
Ai ka bërë të ditur se nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, janë paralajmëruar edhe greva nga minatorët.
“Minatorët kanë dhënë afat deri në javën e ardhshme, nëse kjo nuk bëhet ata kanë paralajmëruar edhe greva”, përfundoi Shyqyri Sadiku.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ditë më parë ka miratuar edhe Statutin për Trepçën.