Fjalë Kyçe

Ministri Abrashi nënshkruan tenderin me ofertën një milion më të shtrenjtë

Ministri Abrashi nënshkruan tenderin me ofertën një milion më të shtrenjtë

Në prani të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka nënshkruar dje projektin për rehabilitimin e rrugës “Hyrja në Qytetin e Ferizajt”, që është kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Afro një vit qëndroi në zyrën e ministrit të Infrastrukturës ky tender. Katër muaj qëndroi në zyrën e ministrit, Lumir Abdixhiku, pasi njësia e ngarkuar prej Ministrisë së Infrastrukturës për projektet e BERZH e kishte shpallur fituesin e tenderit, kompaninë italiane “Via Invoria” me 27.02.2020, shkruan lajmi.net.

Fondet ishin të siguruar qysh herët, pasi janë hua nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Por, ministri Abrashi vendosi të nënshkruajë kontratën pas gjashtë muajve që e kishte marrë detyrën, ose tetë muaj pasi ishte shpallur fituesi.

Lajmi.net ka mësuar se në mesin e kompanive që ishin kualifikuar nga BERZH e që kishin edhe ofertë financiare më të lirë ishte një kompani kosovare afro 1 milion euro më lirë se kompania italiane.

Mësohet se ministri Abdixhiku kishte hezituar të nënshkruajë kontratën, pasi vet njësia e BERZH kishte kualifikuar një kompani më të lirë dhe më pas kishte shpallur fitues një më të shtrenjtë.

Njësia e BERZH më datë 31.01.2019, ka bërë ftesë për parakualifikim. Kanë konkurruar disa kompani. Më datë 19.07.2019 është bërë njoftim për listën e ngushtë, pra janë kualifikuar si të përgjegjshme këto kompani: “Via Invoria” nga Torino e Italisë me çmim 13, 213, 742.95 euro, “Sallahu” nga Kaçaniku 12, 357, 273.77 euro, “Gjoka Construction” nga Tirana e Shqipërisë, 15, 890, 487.95, “Samcorete” nga Egjipti, 16, 261, 725.54 euro, “Papenburg&Ardiani” nga Ferizaj, 17, 487, 095.61 euro, “Eskavatori&Ilgaz” nga Ferizaj 17, 899, 817.66 euro, “Terma&Strabag” nga Tirana, 21, 977, 771.07, “Gjikuria&GPG Company” nga Tirana 25, 365, 270.40 euro.

Më pas njësia e BERZH ka bërë vlerësimin e ofertës financiare për kompanitë e kualifikuara. Më datë 27.02.2020 fitues është shpallur oferta e kompanisë italiane “Via Invoria”, që ishte më e shtrenjtë se ajo e kompanisë nga Kaçaniku “Sallahu”. Diferenca ishte për 856 mijë e 469 euro.