Facebook është një mundësi e lehtë komunikimi për të gjithë ne. Kjo faqe po shfrytëzohet edhe nga liderët politikë për të komunikuar me publikun, ku ata prezantojnë edhe punën e tyre të çdoditshme. Por, komunikimi i drejtpërdrejtë ndonjëherë ka edhe të metat e veta. Aty shpesh shpërfaqen njohuritë reale të liderëve politikë, gjegjësisht të metat e tyre sa i përket diskursit publik.
E disa ministra të kabinetit qeveritar bëjnë disa gabime bazike gjatë komunikimit elektronik. Një rast i tillë është edhe me ministrin e Punëve të Brendshme Ekrem Mustafa.
Ai ka njoftuar gjatë ditës së sotme për një takim që ka pasur me z. Oliver Mains, zyrtar politik pranë Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë. Por, fjala e parë e postimit është gabim.
Kështu ministri Mustafa shkruan ‘SOTË’ në vend të ‘SOT’. Gabime të ngjashme vërehen edhe në tekstin e mëposhtëm, ku fjala ‘JAM’ është shkruar po ashtu gabimisht me Ë në fund, shkruan Gazeta Alo.
Këto janë gabime bazike drejtshkrimore, që dikur janë mësuar në klasën e parë të shkollimit fillor, kurse tani me sistemin e ri arsimor mësohen madje në nivelin e parashkollorëve. Në fakt, pjesa tjetër e tekstit vërehet se është e përgatitur nga stafi profesional i Ministrisë, dhe nuk përbën gabime, por pastaj në pjesën ku ka ndërhyrë vetë ‘shkëlqesia’ e tij, ministri z. Ekrem Mustafa, gabimet janë të dukshme.
Ekrem Mustafa është ministër i AKR-së në Qeverinë Haradinaj. Në fakt ai erdhi në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme, një prej sektorëve më të ndjeshëm, më 15 tetor të vitit të kaluar, duke zëvendësuar Bejtush Gashin, i cili qëndroi vetëm për një kohë të shkurtër në mandatin e tij si ministër. Është ky vetëm një prej emrave të ministrave me të cilët nuk është rehatuar AKR-ja e Behgjet Pacollit, pasi më herët ishte detyruar të largohet nga posti i ministrit edhe Flamur Sefaj pas skandalit me dëbimin e gylenistëve vitin e kaluar.
Një përjashtim tjetër kishte ndodhur me largimin e Albena Reshitajt që kishte shërbyer si ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, po që nuk kishte përmbushur ‘pritjet’ e ‘familjes’ Pacolli e cila qëndron prapa këtyre emërimeve të shpeshta.
Ndryshe, Mustafa është kritikuar si i papërgatitur për postin e ministrit. Kur jemi te gabimet gjuhësore, ne nuk presim ndonjë nivel akademik nga politikanët tanë të niveleve të ndryshme, por është e pafalshme kur ata bëjnë edhe gabimet më bazike, që tregon për mungesë njohurish nga më themeloret. Tani shtrohet pyetja çfarë politikash mund të presim nga politikanë të tillë të cilët nuk zotërojnë mirë as shkrim-leximin. Dihet se qysh në klasët e shkollës së mesme të ulët (V-IX), nxënësve u kërkohet të shkruajnë rrjedhshëm dhe pa gabime dhe të artikulojnë edhe fjali më komplekse, derisa në anën tjetër shohim politikanë që madje nuk mund t’i artikulojnë qartë madje as fjalitë më të thjeshta. /Gazeta Alo/