Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka shpjeguar masën 1 që lidhet më mbështetjen për punësim dhe krijimi i vendeve të reja të punës.
Murati në një konferencë për medie ka treguar se, deri më tani janë pranuar 2,500 aplikime për tri nën masat e kësaj pike.
“Deri më tani që nga lansimi i masave 1.1, 1.2 dhe 1.3 kemi pranuar 2,500 aplikime për të tri masat. Për masën 1.1 kemi pasur 400 aplikime, për masën 1.2 janë 800 aplikime dhe për masën 1.3 kemi pasur rreth 1,300 aplikime. Mund të thuhet se suksesi ka qenë relativisht i mirë”, ka thënë Murati, përcjell Telegrafi.
Sipas tij, për masën 1.1 do të ofrohet mbështetje prej 100 euro për tre muaj për ata që janë punësuar nga data 1 korrik, ndërsa për masat 1.2 dhe 1.3 do të përkrahen me nga 50 euro.
“Në kuadër të saj kemi për qëllim zgjerimin e këtyre tri masave, ku fillimisht kanë qenë për punëdhënësin që të nxiten e të punësojnë staf të ri, sipas masës 1.1 ata që kanë humbur vendin e punës dhe që punësohen nga data 1 korrik e tutje do të kenë mbështetje prej vlerë 100 euro për tre muaj radhazi. Kurse për masat tjera, pra për 1.2 dhe 1.3 për të gjithë të punësuarit e ri, mbështetja do të jetë për tre muaj me nga 50 euro”, ka treguar ai.