Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë se në dialogun Kosovë Serbi duhet të ketë përfshirje më të madhe të lidershipit amerikan.
Ai në DESKU-n e Kohës ka thënë se kjo përfshirje duhet të bëhet për shkak se SHBA-ja është partner strategjik i Kosovës dhe përfaqësojnë të njëjta vlera.
Sipas tij, çdo rrëshqitje që e prish balancin e kyçjes amerikane në atë evropiane, mund të krijojë disbalanc të rrëshqitjes në dialog teknik.
“Koordinimi më i përafërt me mekanizmat amerikan që janë të kyçur në dialog duhet të jenë më të qasshëm”, ka thënë ai.
Ministri i Drejtësisë Selim Selimi ka thënë se Qeveria Hoti krahasuar më Qeverinë e kaluar, ka ofruar mundësi për unitet të skenës politike kur bëhet fjalë për dialogun me Serbinë.
Sipas tij, uniteti nuk është arritur tërësisht, por ka mundësi të thellohet. Ai në një intervistë në emisionin Desku në KTV, ka ftuar partitë për unitet.
“Qeveria pikë së pari duhet të ofrojë një pikënisje për të garantuar këtë unitet, pastaj është e partive a duan t’i bashkëngjiten. Është e rëndësishme që kjo qeveri e ka ofruar mundësinë e unitetit, por ky duhet të jetësohet me pjesëmarrjen e të gjithëve. Disa kanë refuzuar, disa janë shprehur më pak refuzues, por ka ende mundësi. Ftoj të gjitha partitë që të bashkëngjiten për dialog, me këtë unitet ne e përmirësojnë platformën dhe unitetin. Ne kemi ofruar mundësinë”, tha Selimi