Endrit Shala, Ministër i Tregtisë dhe Industrisë, ka bërë të ditur se sot janë hapur të gjitha lokalet në pjesën veriore të vendit.
Përmes një njoftimi në llogarinë e tij në Facebook, Shala ka thënë se qytetarët e asaj pjese mund të furnizohen me produktet e tyre ushqimore të përditshme, shkruan Gazeta Insajderi.
“Pas një veprimi dy ditor të Qeverisë së Kosovës-Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që t’iu qëndrojmë pranë qytetarëve tanë nga veriu, në përmbushje të obligimeve tona ligjore dhe kushtetuese, iu informoj se sot të gjitha lokalet në pjesën veriore të vendit janë të hapura, pas detyrimeve nga jashtë për mbylljen e tyre”, ka shkruar Shala.
Po ashtu edhe Kryetari i Shoqatës së Afaristëve në veri të Kosovës Radosh Petroviq ka deklaruar për RTS se është arritur marrëveshja që shitoret, barnatoret, objektet hoteliere, të cilët kanë qenë të mbyllur dy ditët e fundit, të fillojnë punën.
Drejtori i Qendrës Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut Mllan Ivanoviq njëkohësisht ka pretenduar “se situata në qendrën spitalore është brengosëse”.
“Po bëhen përpjekje me institucionet kompetente, Ministrinë, zyrën për Kosovë dhe Fondit republikan që furnizimi të normalizohet, gjë që në këto kushte është vështirë”, ka thënë Ivanoviq për RTS.