Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, me ftesë të Odës Ekonomike Gjermano – Kosovare ka qenë folës në platformën “Business Talks”, ku ka bashkëbiseduar me bizneset duke treguar për prioritetin kryesor, që është mbështetja e prodhuesve dhe fuqizimi i tyre.
Shala ka theksuar se prioritet absolut në mandatin e tij ka qenë, është dhe do të mbetet përkrahja e prodhimit vendor.
“Jam thellësisht i bindur se me një sektor privat të qëndrueshëm dhe konkurrent dhe një prodhimtari kualitative ne mund ta zhvillojmë ekonominë dhe ta rrisim prodhimin duke forcuar shtetin. Vendimet e MTI-së kanë prek direkt prodhuesin tonë, fermerin tonë dhe ekonominë e vendit tonë në përgjithësi dhe si rezultat i vendimeve tona, ne i shohim këto me rritje të numrit të të punësuarve dhe me rritje të kualitetit të prodhimit”, theksoi Shala.
Ministri ka folur edhe për investime të huaja, duke përmendur ndryshimet që janë bërë në Ligjin për Investime Strategjike, e që kanë ndikuar në rritjen e kërkesave për të investuar në Kosovë.
“Për më tepër jam shumë i entuziazmuar t’ju tregoj që tashmë kemi filluar me implementimin e Ligjit për investime strategjike, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2017, ku për shkak të një udhëzimi administrativ, që ka qenë shumë i vështirë për t’u plotësuar nga bizneset, në vitin 2018 nuk ka pasur interesim për investime. Me marrjen e detyrës, në tetor të vitit të kaluar, kam iniciuar procedura për ndryshim të këtij udhëzimi, i cili ka hyrë në fuqi në janar të këtij vitit dhe nga ajo kohë kemi 12 biznese që kanë aplikuar apo janë në proces të aplikimin. Një vetëm e ka marrë statusin e investitorit strategjik “Sowi Kosovo LLC”, që planifikon investimin e 169 milionë eurove në energji me erë dhe është investimi më i madh direkt që ka ndodhë në Kosovë nga një investitor privat”, tha Shala.
Ministri Shala ka folur para të pranishmëve edhe për ofertën që ia ka bërë gjigantit gjerman për prodhimin e veturave “Volkswagen”, që u vlerësua shumë nga të pranishmit, si rasti i parë që një ministër merr hapa konkret për ta ftuar një investitor të huaj.
Po ashtu, Shala përmendni faktin se Gjermania është partneri kryesor ekonomik i Kosovës dhe bashkëpunimi do të vazhdojë edhe përmes Odës Gjermano-Kosovare.