Fjalë Kyçe

Ministri Zemaj nuk di asgjë për planet e Serbisë për hapjen e laboratorit në Mitrovicë

Ministri Zemaj nuk di asgjë për planet e Serbisë për hapjen e laboratorit në Mitrovicë

Gjatë ditës së sotme, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vizituar spitalin e Ferizajt, ku po trajtohen disa pacientë me COVID-19.

Ka folur për riorganizmin dhe shtimin e kapaciteteve në këtë spital, por jo edhe për paralajmërimin e Serbisë se do të hapë një laborator për kryerjen e testeve PCR të COVID-19, raporton KOHA.

Për këtë çështje ka thënë se duhet pyetur Qeveria, përkatësisht kryeministri Avdullah Hoti.

“Kjo pyetje duhet t’i adresohet Qeverisë së Kosovës. Unë jam vetëm ministër i Shëndetësisë. Një aktivitet i tillë, nëse është kështu siç po thoni ju, kërkon kapacitete tjera ndër-institucionale dhe vendimmarrje tjetër. Unë jam vetëm ministër i Shëndetësisë”, tha Zemaj.

Në Kosovë, përveç laboratorit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, asnjë tjetër nuk është i licencuar për të kryer testimet PCR për Covid-19. Ministria e Shëndetësisë, tash e dy javë ka filluar me procedura, për të licencuar laboratorë privatë, për të kryer testime për Covid-19.