Fjalë Kyçe

Ministri Zemaj thotë se do të testohen falas rreth 3500 qytetarë brenda ditës

Ministri Zemaj thotë se do të testohen falas rreth 3500 qytetarë brenda ditës

Për tri orë me radhë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka raportuar para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale lidhur me menaxhimin e pandemisë në vend. Zemaj tha se janë duke u angazhuar që t’i rrisin kapacitetet testuese në vend dhe të ofrojnë deri në 3500 teste falas brenda ditës për qytetarët e Kosovës.

Ministri i Shëndetësisë, derisa tha se situata epidemiologjike është e menaxhueshme theksoi se janë në fazën përfundimtare të zgjerimit të kapaciteteve testuese edhe në qendrat regjionale të Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik.

Përderisa ka kërkuar respektim të rekomandimeve karshi luftës me COVID-19, Zemaj tha se shqetësuese mbesin shifrat e vdekshmërisë së atyre që kanë qenë të prekur me koronavirus.

Me qëllim të menaxhimit dhe ofrimit të shërbimeve më efikase Zemaj tha se janë duke angazhuar edhe staf shtesë të profesionistëve shëndetësor.

“Në këtë javë kemi nisur edhe angazhimin e 350 profesionistëve shëndetësor që do të japin imput të drejtpërdrejtë në menaxhimin e situatës dhe pandemisë COVID-19, duke marr parasysh edhe tendencën tonë që në javët në fillim ose në javën tjetër zgjerohemi edhe me kapacitet testuese. MSH qeveria e Kosovës sipas planit të veprimit më ka angazhuar që të bëjmë zgjerimin e kapaciteteve në gjashtë qendrat rajonale të IKSHP-së dhe të mbështetjes me testime. Jemi në fazën përfundimtare ku do sigurojmë 7 aparatura për laboratorët, 1 do jetë në IKSHP dhe gjashtë në të gjitha qendrat rajonal të IKSHP-së duke siguruar më shumë se 100 mijë teste në këtë fazë për t’iu ofruar qytetarëve tanë. Po ashtu e kemi të siguruar një donacion nga OBSH, ku javën tjetër pritet ardhja e tri aparaturave të cilat dy do të vendosen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës duke marr parasysh që Prishtina është më e ngarkuar edhe nga popullsia dhe një ku jetojnë komunitetet pakicë në Kosovë“, tha ai.

I pari i shëndetësisë kosovare u zotua se me zgjerim të kapaciteteve testuese do të mund të ofrojnë edhe 3 mijë deri në 3mijë e 500 teste falas brenda ditës për qytetarët e Kosovës.

Lidhur me licencimin e institucioneve private për kryerjen e testimeve serologjike dhe PCR, për çka u interesua të di më shumë anëtari I këtij komisioni nga radhët e LDK-së, Haxhi Avdyli, ministri Zemaj tha se ata laboratorë janë licencuar në bazë të kritereve të udhëzimit administrative dhe se nga qeveria ka kërkuar që të subvencionohet 18 deri 20 për qind e çmimit të marrjes së këtyre shërbimeve.

“Kam propozuar tek Qeveria e Kosovës edhe subvencionimin sidomos të qytetarëve duke në pjesën prej 18 deri 20 për qind që të paguhet ajo pjesa e TVSH-së të kontribuoj qeveria e Kosovës si masë lehtësuese e marrjes së këtij shërbimi. Por më lejoni të theksoj se nëse brenda një kohë të shkurt arrijnë institucionet tona publike dhe ofrojnë laboratorët publik në 6 qendrat rajonale ose duke i dy-trefishuar kapacitet tona në IKSHP dhe në Klinikën Infektive atëherë si shërbime nga institucionet tona publike ne do arrijmë maksimumin në plotësimin e të gjitha nevojat për testime sigurisht që në planifikimet tona është që të arrijmë që brenda ditës t’I kemi 3 mijë apo 3500 testime edhe më shumë“, tha ai.

Deputeti Avdyli kërkoi informacione edhe për furnizimin me oksigjen si shërbim tejet i rëndësishëm për pacientët me COVID-19. E në përgjigjen e tij ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Univeristar, Valbon Krasniqi tha se kur ka ardhur në këtë pozitë ka qenë vetëm një kontratë për furnizim me oksigjen. Krasniqi tha se me qëllim të furnizimit adekuat dhe bazuar në nevoja kanë nënshkruar edhe një kontratë me një operator tjetër për furnizim me oksigjen.

Ai tha se kanë filluar procedurat për zgjerimin e rrjetit të oksigjenit qendror nëpër klinikat dhe spitalet e përgjithshme, ndërsa shtoi se kanë nisur edhe procedurat për blerjen e 700 deri 1 mijë bombolave të oksigjenit.

Krasniqi tha se situatën ua ka lehtësuar edhe donacioni prej 27 koncentratorëve me oksigjen dhe janë në pritje edhe të 211 këtyre lloj aparaturave që janë donacion i OBSH-së.

“Duke e parë rritjen e vazhdueshme të nevojave për oksigjen ne e kemi analizuar situatën dhe kemi vërejtur se duhet të veprojmë në mënyrë të shpejt dhe hapat që i kemi ndërmarrë për përmirësim të furnizimit të oksigjenit janë në tri drejtime në radhë të parë kemi lidhur një kontratë të dytë me operatorin e dytë e licencuar në Kosovë për furnizim me oksigjen të bombolave të gazit kjo edhe pas konfirmim nga operatori I parë se si i vetëm nuk mund të furnizojë dhe t’i plotësojë kërkesat në vazhdimësi në rritje të institucioneve tona. Kemi filluar shqyrtimin e mundësive që furnizimin me oksigjen ta bëjmë përmes metodës së kriotankeve apo rezervarëve sepse është më i lirë dhe nuk kemi problem me furnizim pra ka sasi më të mjaftueshme në treg ndërkohë që furnizimi me bombola të oksigjenit janë vështirësuar dhe kërkesat në treg dhe rajon janë të rritura”, tha ai.

Për koston e shpenzime për trajtim mjekësore të pacientëve që janë të shtrirë në Shërbimin Spitalor Klinik të Kosovës dhe atyre që trajtohen në shtëpi e që janë të prekur me COVID-19 u interesua të marr më shumë informacione deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka i cili e shfaqi si shqetësim edhe numrin e madh të rasteve që muajin e fundit e kanë humbur betejën me koronavirus.

Për këtë u.d. i drejtorit të SHKSKUK-ës, Valbon Krasniqi kostoja e shërimit të një pacienti me COVID-19 është vështirë të përcaktohet pasi varet nga gjendja shëndetësore dhe terapia që merr pacienti.

Krasniqi tha se për shpenzimet e pacientëve të prekur me COVID që janë të shtrirë në QKUK përgjegjës është ky institucion, por jo edhe për ata që marrin janë në shtëpi.

“Kostoja e trajtimit të një pacienti me COVID është e vështirë të përcaktohet pasi që jo të gjithë pacientët kanë nevojë për terapinë e njëjtë po ashtu edhe brenda një pacienti individ terapia nuk do jetë e njëjtë brenda disa ditëve, terapie mund të ndryshoi varësisht nga gjendja klinike e pacientit, dhe në të njëjtën kohë kohëzgjatja e trajtimit mund të variojë nga disa ditë në dita javë duhet t’i shtohet edhe sëmundjet tjera kronike që pacienti mund t’i ketë, prandaj ne mund të bëjmë një kosto të përafërte bazike”, theksoi Krasniqi.

E konkursi i specialistëve ishte ai i cili ngjalli mjaftë interes për deputetët e Kosovës që janë pjesë e Komisionit të Shëndetësisë. Pothuajse secili u interesua të di se ky konkurs sa është legjitim. Ndër ta ishte deputeti i PDK-së, Uran Ismaili.

E në përgjigjen e tij ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj u zotua se në këtë konkurs nuk ka asnjë neglizhencë dhe gjithçka është legale.

“Konkursi për shkollim specialistik është sikurse konkursi i fundit që ka ndodhur para katër viteve e gjysmë me të njëjtin ligj me të njëjtin udhëzim administrative vetëm se është plotësuar numri e kërkesave të reja të cilat janë të aplikueshme në Kosovës dhe të zbatueshme.. Po e them me përgjegjësi të plotë në aspektin legal asnjë pengesë, asnjë neglizhencë nuk ka në aspektin legal”, theksoi Zemaj.

Deputeti nga PDK tutja tha se meqenëse testime nuk janë bërë ashtu siç e ka kërkuar situate ka dështuar politika në testimet për COVID-19.

“Unë mendoj se si Kosovë për testime kemi dështuar, por kemi dështuar politikisht dhe mendoj që politika e bartë fajin sepse konsideroj se është dashur me u rrit dhe zgjerua kapacitet testues qe një kohë të gjatë. Unë nuk kam informata që nga profesionstët shëndetësor që kërkesa për aparaturë është bërë nga muaji maj edhe në qeverinë e kaluar nga IKSHP që nga viti 2011”, tha ai.

Ismaili pati edhe një këshill për ministrin Zemaj për vizitat që është duke I zhvilluar nëpër komunat e Kosovës.

“Nuk mundesh ti me shkua një ditë në Prizren, një ditë në Pejë një ditë atje, një ditë atje një ditë në aeroport unë po ta kuptoj vullnetin por nuk është punë për ty, seriozisht po e kuptoj pse po shkon se po do me dërgua sinjal se është e rëndësishme, por unë frikësohem se ti djegësh në tentim dhe efekti nuk arrihet”, këshilloi Ismaili.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj gjatë raportimit të tij në Komisionin e Shëndetësisë lidhur me menaxhimin e pandemisë në Kosovë tha se me qëllim të rritjes së kapaciteteve janë duke shqyrtuar mundësinë e ndërtimit të një spitali për pacientët me COVID që do ketë kapacitet edhe për 500 shtretër.

Ai po ashtu njoftoi se Mali i Zi i ka njoftuar se nga nesër do t’i hapë kufijtë për qytetarët e Kosovës pa kufizime.

Lidhur me vdekjen e dyshimtë të pesë pacientët që kanë qenë të shtrirë në Klinikën Infektive, ministri I Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se janë në pritje të raportit zyrtar.