Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit u ka bërë thirrje si punëtorëve, ashtu edhe drejtuesve të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, që të gjejnë zgjidhjen e problemeve për të cilat, sipas MIT-së, punëtorët e aeroportit janë të pakënaqur.
Kjo Ministri thotë se ka pranuar me shqetësim paralajmërimet e Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar Adem Jashari për fillimin e protestave.
“Prandaj apelojmë tek të dyja palët, drejtuesit e sindikatës dhe ata të aeroportit, që të diskutojnë rreth zgjidhjes së problemeve për të cilat punëtorët janë të pakënaqur. Njëkohësisht, MIT i bën thirrje konsorciumit ‘Limak’ që të respektojnë me përpikëri ligjet e Republikës së Kosovës dhe kontratën për koncesionimin e ANP ‘Adem Jashari’”, thuhet në reagimin e MIT-së.
Ministria konsideron që “është e dëmshme ndalja e punës nga ana e punonjësve të aeroportit, pikërisht në kohën e fluksit më të madh të udhëtarëve, veçanërisht diasporës”.