Fjalë Kyçe

Ministria e Mbrojtjes u blen mbi 14 mijë euro ushqim qenve të FSK-së

Ministria e Mbrojtjes u blen mbi 14 mijë euro ushqim qenve të FSK-së

Për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), qentë janë jashtëzakonisht të rëndësishëm. Për t’i furnizuar ata me ushqim, Ministria e Mbrojtjes së fundi ka nënshkruar një kontratë me kompaninë “Artius GROUP”.

Kontrata e titulluar “Furnizim me ushqim për kafshë për nevoja të FSK-së” do t’i kushtojë Ministrisë së Mbrojtjes 14 mijë e 850 euro. Me këtë kontratë do të bëhet furnizimi me ushqim i qenve të FSK’së për një periudhë prej 36 muajsh, raporton Gazeta Express.

Në përshkrimin e kontratës specifikohet se kompania e kontraktuar do t’i furnizojë qentë me ushqim të thatë dhe ushqim të lëngshëm të konservuar.

“AK i MM-së ka për qellim që të lidhë një kontratë kornizë 36 muajsh me një OE që do të ketë kapacitet ekonomik, teknik dhe profesional të kryejë këto lloje të furnizimeve (ushqim i thatë si dhe ushqim i lëngshëm i konservuar), sipas kërkesës dhe nevojave të AK, në përputhje të plotë me specifikat teknike të dhëna në DT aneks 1 (specifikacioni teknik i detyrueshëm). Sasia indikative e parashikuar për tre vite është ushqim i thatë 250kg, si dhe ushqim i lëngshëm i konservuar 400- 450gr 1000 copë. Afatet e liferimit pas çdo urdhërblerje jo më shumë se 30 ditë”, thuhet në përshkrimin e njoftimit për nënshkrimin e kontratës.

Blerja do të bëhet me këste, ndërsa ushqimi do të dorëzohet në depot qëndrore në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Dy qenë të FSK’së, Alli dhe Sadak, duke gjurmuar ata që kishin mbetur nën rrënojat e objekteve që i la tërmeti shkatërrues në Shqipëri, ishin bërë heronjtë e asaj fatkeqësie natyrore, duke shpëtuar shumë jetë njerëzish.

Pas kësaj, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta kishte ardhur në kazermën e FSK-së, “Adem Jashari” në Prishtinë për ta falenderuar këtë institucion për ndihmën e dhënë. Ai nuk i harroi veçanërisht qentë e FSK’së, Alli dhe Sadak, duke shprehur mirënjohje edhe për përgjegjësit e trajnuesit e tyre.