Faton Peci, këshilltar i u.d. së Presidentes Vjosa Osmani ka reaguar ndaj deklaratave se kjo e fundit ka bojkotuar ceremoninë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Izraelin.
Reagimi i plotë:
u.d Presidentja nuk e ka injoruar ceremoninë për marrëdhëniet diplomatike me Izraelin por MPJD ka injoruar protokollin dhe kërkesat e Presidencës, si institucion që sipas kushtetutës udhëheqë me politikën e jashtme.
u.d. Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë të jetë prezente në këtë ceremoni, por pjesëmarrja i është pamundësuar nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila e ka shkelur Protokollin shtetëror, duke i pamundësuar Presidentes të ketë adresim dhe poashtu duke i pamundësuar rolin në ceremoni që i takon sipas praktikave dhe protokollit.
Është për keqardhje që MPJD ka instrumentalizuar protokollin e shtetit për të shtyrë përpara agjenda partiake në prag të fushatës zgjedhore. Qasja e tillë e MPJ-së e dëmton jo vetëm kredibilitetin e saj, por edhe të vet shtetit të Kosovës.
U.D. Presidentja ka përshëndetur dje lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit dhe sot ka zhvilluar bisedën e parë telefonike me Kryetarin e Knesset-it. Siç ka potencuar vazhdimisht, njohja nga Izraeli reflekton edhe marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes dy popujve tanë.