Ministria e Shëndetësisë i njofton qytetarët në Komunën e Prishtinës se në Qendrën e vaksinimit te salla “1 Tetori” në Prishtinë nuk do të ketë vaksinime kundër COVID-19 gjatë ditëve të fundjavës dhe në ditët në vijim.
Ko për shkak se dozat e parapara për vaksinim në këtë qendër të vaksinimit, janë dhënë që të gjitha.
Vaksinimi në këtë qendër do të fillojë kur të arrijnë doza të tjera, derisa në ato komuna (QKMF) ku ka ende doza të pa administruara, vaksinimi do të vazhdojë ditët në vijim, deri në dhënien e të gjitha dozave në dispozicion.
Deri tani, me dozën e parë të vaksinës AstraZeneca janë vaksinuar 22.096 persona nga 24 000 dozat e para të marra përmes mekanizimit COVAX.
Ndërkaq, të premten në Kosovë janë shënuar edhe tetë viktima të reja nga koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.
Në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) thuhet se dy viktima janë regjistruar në Kamenicë dhe nga një në Ferizaj, Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjilan dhe Prizren.
Gjatë 24 orëve të fundit në laboratorët privatë dhe publik janë testuar edhe 3.146 mostra të dyshimta, prej të cilave 356 kanë dalë pozitive në koronavirus. Pra, 11 për qind e personave të testuar kanë rezultuar pozitivë në COVID-19.
IKSHPK njofton se gjatë kësaj periudhe janë shëruar edhe 680 pacientë ndërsa numri i rasteve aktive është 11.034.
Përfshirë edhe këto të dhëna, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë, që nga marsi i vitit 2020, ka arritur në 103.480, prej të cilëve 90.328 janë shëruar ndërsa 2.118 kanë vdekur.