Fjalë Kyçe

Ministria po diskuton për aktivitet sportive, nuk tregon kur do të ketë vendim

Ministria po diskuton për aktivitet sportive, nuk tregon kur do të ketë vendim

Ministria e Shëndetësisë (MSH) dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) janë duke diskutuar për t’ua lejuar zhvillimin e aktiviteteve sportive.

Por, si në MSH ashtu edhe në MKRS, nuk kanë treguar se kur do të ketë një vendim përfundimtar nëse do t’u lejohet paraqitja e sportistëve në palestra dhe fusha të sporteve të ndryshme. Në pritje të vendimit për ta nisur sezonin e ri 2020/2021 është edhe Federata më e madhe në vend, ajo e futbollit, që ka paraparë të startojë me Superligë në fundjavë.

Por, në një përgjigje nga zyra për media e MSH-së dhënë KOHËS të mërkurën thuhet se tash për tash nuk ka vendime të reja, që nënkupton se mbetet në fuqi vendimi i Qeverisë që ndalon aktivitetet sportive, si pjesë e masave në luftë ndaj COVID-19. Vendimi në fakt nuk po respektohet. Ditë më parë u mbajt një turne

i meshkujve në basketbollin tre kundër tre. Klubet e futbollit po ushtrojnë e po luajnë ndeshje miqësore, ndonëse këtë e kanë të ndaluar. Por disa aktivitete nuk po lejohen. Ndër të tjera, shumica e palestrave janë të mbyllura, në pritje të një vendimi tjetër të Qeverisë.

“Çështja e veprimtarive sportive është duke u diskutuar dhe vlerësuar. MKRS-ja i ka dërguar MSH-së disa rekomandime si do të mund të zhvilloheshin aktivitetet sportive. I ka dërguar manualet për aktivitetet sportive, stërvitjet dhe garat në hapësira të mbyllura dhe të hapura se si mund të organizohen nëse përgjegjësit respektojnë protokollet dhe udhëzimet e organizatave shëndetësore, vendore e ndërkombëtare dhe grupi për rivlerësim të situatës epidemiologjike do të propozoj se çfarë do të bëhet më tej me kërkesat. Tash për tash ende nuk ka vendime të reja”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.