Ministrja për BE-në dhe Kushtetutën në kancelarinë austriake, Karoline Edtstadler, ka ritheksuar se është koha që përfundimisht të liberalizohen vizat për Kosovën, pasi 95 kriteret e kërkuara nga BE-ja janë plotësuar.
Edstadler këto deklarime i ka bërë përgjatë një takimi me kryediplomaten kosovare, Donika Gërvalla. Përgjatë takimit, i cili u njoftua në ‘Twitter’ nga ministrja austriake, u diskutua edhe për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, shkruan lajmi.net.
“Bashkëbisedim i këndshëm me Zëvendëskryeministren e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz. Dialogu Prishtinë-Beograd është kyç jo vetëm për stabilitetin e rajonit por edhe për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor. Pres përparim të shpejtë në çështjet me rëndësi për qytetarët në të dy shtetet, në mënyrë që të ndërtohet besimi reciprok”, ka shkruar ministrja Edstadler në ‘Twitter’.
E njëjta ka thënë se është koha që përfundimisht t’u liberalizohen vizat kosovarëve.
“Kosova është vendi i vetëm në Ballkan të cilës i kërkohen vizat. Kosova ka përmbushur 95 kriteret për liberalizim të vizave dhe Parlamenti Evropian vazhdimisht është deklaruar në favor të liberalizimit të vizave. Është koha që përfundimisht të realizohet liberalizimi i vizave për Kosovën”, deklaroi ndër të tjera ajo.
Mbështetje të madhe nga ky shtet ka ofruar edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg. Schallenberg ka deklaruar se pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, “kërkohet një pozicion i ri gjeostrategjik në Evropë”.
“Kjo përfshin edhe pranimin e anëtarëve të rinj. Ne mirëpresim dëshirën e Kosovës për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës”, ka thënë kryediplomati austriak.