Fjalë Kyçe

Ministrja Dumoshi zbulon projektin për ndërtimin e stadiumit të ri në Ferizaj

Ministrja Dumoshi zbulon projektin për ndërtimin e stadiumit të ri në Ferizaj

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e shoqëruar nga zëvendësministri Halil Matoshi dhe një pjesë e stafit të MKRS-së, e ka vizituar sot Komunën e Ferizajt, ku është takuar me kryetarin e kësaj komune, Agim Aliu, me të cilin kanë diskutuar për projektet që janë në interes të përbashkët në fushën e kulturës, trashëgimisë, sportit e rinisë.

Në kuadër të sportit, sqaroi ministrja, MKRS-ja është prezente me investime kapitale, siç është projekti i palestrës sportive në Greme të Ferizajt, kompleksin e fushave të tenisit, pishinën gjysmë-olimpike, por projekti më i rëndësishëm të cilin e paralajmëroi ministrja është ndërtimi i stadiumit të ri të Ferizajt.

“Bashkë me kryetarin Aliu u pajtuam që të nisim procedurat për projektin e ndërtimin të një stadiumi të ri të Ferizajt. E dimë që është stadiumi i vjetër është në Ferizaj dhe ne do të mundohemi që të punojmë edhe aty ashtu që t’u japim mundësi sportistëve dhe komunitetit që të zhvillojë gara. Por, është vlerësim dhe kërkesë e Ferizajt që të ndërtohet stadiumi i ri me standarde ndërkombëtare”, shpjegoi ministrja.

Nga ana e tij, kryetari Aliu e falënderoi ministren dhe MKRS-në për përkrahjen e projekteve që realizohen në Ferizaj.