Fjalë Kyçe

Ministrja gjermane e Mbrojtjes: Mbështesim anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO

Ministrja gjermane e Mbrojtjes: Mbështesim anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrja e Mbrojtjes së Gjermanisë, Christine Lambrecht, kanë folur në konferencë të përbashkët për media pas takimit që kanë zhvilluar në Prishtinë.

Kurti dhe Lambrecht në fjalën e tyre kanë theksuar edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe shteteve aleate, duke përmendur këtu edhe faktin e pozicionimit të Kosovës krah perëndimit në luftën e Rusisë në Ukrainë.

“Këto vlera janë të rëndësishme për Bashkimin Evropian. Ne do të ju qëndrojmë në krah në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Procesi i dialogut shpresoj që të marrë një dinamikë të re dhe shpresoj që të ketë vendime të reja më 13 maj, duke përfshirë këtu edhe vendimin për njohjen e dokumenteve reciproke”, ka thënë Lambrecht.

Ministrja Lambrecht ka thënë se Gjermania e mbështet rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

“Gjermania e ka qartësuar se e mbështet rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE dhe në NATO. Në këtë rrugë duhet të ecet dhe mund të ketë edhe pengesa, por ne e mbështesim këtë rrugë. Sa i përket rrugës drejt anëtarësimit në BE, ne po mundohemi ta bëjmë këtë përmes procesit të Berlinit, ndërsa sa i përket anëtarësimit në NATO, ne e mbështesim Kosovën në këtë proces andaj edhe kemi angazhime këtu e trajnime. Por, duhet të kemi parasysh se ka procedura dhe kushte që duhet përmbushur për t’u anëtarësuar në NATO”, ka deklaruar Lambrecht përcjell lajmi.net

Ministrja gjermane ka theksuar se Gjermania do të vazhdojë angazhimin e saj edhe në fushën e sigurisë në Kosovë, duke dhënë kështu mbështetjen e tyre edhe për trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.