Mungesa e stabilitetit politik, ku vetëm vitin e kaluar janë ndërruar tri qeveri, për ambasadorin e Shqipërisë, Qemal Minxhozi reflekton edhe në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi. Ai thotë se nevojitet angazhim për arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi, pasi zgjidhja e ngërçit mes dy vendeve hap rrugën për zhvillim multilateral rajonal efikas.
Sipas tij, njohja e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë është çështje kohe.
“Çështja e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë është një çështje vitale e zhvillimit, e përparimit, jo vetëm të Serbisë dhe Kosovës, por të gjithë rajonit. Prandaj nuk mund të jetë peng i një partie politike, i kujtdo qoftë ajo. Është diçka që ka të bëjë me vet të ardhmen e popujve të Kosovës dhe Serbisë, por edhe të rajonit. Zgjidhja e një ngërçi mes Kosovës dhe Serbisë i hap rrugën një zhvillimi multilateral rajonal efikas”, thotë ai.
Diplomati shqiptar vlerëson se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për lëvizje të lirë, teksa shton se vendi ynë është në parametrat e njëjtë me vendet tjera në arritjet për liberalizimin e vizave.
“Kosova i ka plotësuar kushtet. Janë plotësuar me kohë. Nëqoftëse e bëjmë të njëjtin metër për arritjet që ka pasur Kosova në fushën e liberalizimit të lëvizjes së qytetarëve me vendet tjera, Kosova është në ata parametra”, tha ai duke shtuar se ndikojnë edhe problemet nacionale, situata politike në vendet e ndryshme në BE.
Minxhozi flet edhe për humbjet ekonomike të dy vendeve që pësuan për shkak të pandemisë me COVID-19.
“Krahasuar me vitin 2019 Shqipëria dhe Kosova kanë shkëmbyer 307 milionë euro mallra ndërsa këtë vit kjo shifër ka rënë ku është diku 250-260 milionë euro, do më thënë është një rënie. Gjithsesi jemi munduar që të mbajmë linjat e komunikimit për Kosovën që kanë qenë shumë të rëndësishme për sa i përket transportit se pjesa më e madhe e mallrave për tregun e Kosovës vijnë nga Porti i Durrësit dhe Porti i Durrësit ka qenë funksional gjatë gjithë kohës edhe për Kosovën. Ajo që është tepër e rëndësishme është se nuk ka qenë pengesa burokratike që herë pas here janë evidente, sivjet ka qenë një maturi më e mirë, një kujdes më i madh dhe me më pak probleme për sa i përket importeve dhe eksporteve”, thotë ai.