Fjalë Kyçe

Mjekët kanë drojë se Qeveria Kurti nuk do t’i lejojë të punojnë edhe në shtet edhe në privat

Mjekët kanë drojë se Qeveria Kurti nuk do t’i lejojë të punojnë edhe në shtet edhe në privat

E ngutshme dhe jo mirë e menduar, po vlerësohet nga Federata Sindikale e Shëndetësisë, deklarata e liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti, se mjekët duhet të zgjedhin mes sektorit publik dhe atij privat.

Kryetari i saj, Blerim Syla, ka thënë se qeveria e re fillimisht duhet të bëjë një analizë për gjendjen në të cilën ndodhet sistemi i shëndetësisë, raporton KTV.

Sipas tij, nëse plani i Kurtit zbatohet, duhet të rriten edhe pagat për mjekët specialistë. Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, në anën tjetër, thotë se një vendim i tillë do të duhej të vlente për të gjitha profesionet dhe sektorët.

Sejdiu ka deklaruar se janë pro idesë që të bëhet një monitorim i mirëfilltë i punës së mjekëve në sektorin publik, por është shprehur skeptik nëse ideja e Kurtit është e zbatueshme.

Gjykata Kushtetuese në vitin 2013, shfuqizoi nenet e Ligjit për Shëndetësi, ku ndalohej ushtrimi i profesionit të mjekut në sektorin privat dhe publik.