Nysret Hajrullahu, drejtor në spitalin e Gjilanit, ka apeluar që të gjithë ata që kanë simptoma të gripit sezonal të kërkojnë ndihmën mjekësore. Ndërsa Hamdi Ramadani nga Klinika Infektive ka bërë thirrje për vaksinim kundër gripit sezonal.
“Të dy rastet që kanë përfunduar me fatalitet kanë qenë të infektuar me virusin sezonal. Ne kemi marrë masa prej lajmërimit të rastit të parë, ku janë zvogëluar vizitat në spital, janë propozuar maskat në spital, mbajtja e higjienës, por situata është nën kontroll. Të gjithë ata që kanë simptoma të gripit të kërkojnë ndihën mjekësore”, ka thënë drejtori në spitalin e Gjilanit për RTK-në.
Kurse Ramadani nga Klinika Infektive ka thënë se jo vetëm Gjilani, por të gjitha komunat janë të prekura nga gripi sezonal, mirëpo sipas tij, gjendja nuk është alarmante.
“Klinika Infektive ka regjistruar një numër rastesh të prekur nga virusi sezonal, rreth 500. Pesë raste kanë kanë humbur jetën. Është vërtetuar se ata janë prekur nga virusi Influenca A, dhe jo nga Gripi i Derrit. Pacientët kishin probleme të mëhershme dhe kishin ardhur tek ne vonë, gjë që trajtimi nuk ka mundur të ketë efekt. Gjendja e tyre ka qenë skajshmërisht e rëndë. Gjithashtu nuk ka pasur vaksinim”, ka thënë ai.