Qyteti i Mitrovicës po vazhdon të jetë një ndër komunat më të prekura me Covid-19 në Kosovë. Ditë më parë në këtë Komunë janë konfirmuar raste të reja me koronavirus. E pa u prekur nga virusi nuk shpëtoi edhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Mitrovicë.
Bëhet fjalë për një person nga stafi mjekësor. Rastin e ka konfirmuar për T7 drejtori i kësaj qendre, Fevzi Sylejmani. Sylejmani tha se bëhet fjalë për një mjek nga reparti i mjekësisë familjare.
Sylejmani shtoi se pas gjurmimit të kontakteve janë izoluar edhe tri infermiere. Sylejmani shtoi se deri më tani askush tjetër nga stafi nuk ka rezultuar pozitiv.
E infektimin e mjekut e ka konfirmuar edhe Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Erseka Hasanaj Barani. Barani theksoi se mjeku ka kohë që është vetëizoluar.
Ndërkohë drejtoresha e shëndetësisë shtoi së mjeku familjar dyshohet se virusin e morri nga një organizatë qeveritare, ku edhe ishte i angazhuar.
Barani foli edhe për gjendjen e pacientëve të tjerë në këtë qytet që tashmë janë konfirmuar si pozitiv me Covid-19. Ajo tha se gjendja e tyre është stabile, përveç njërit nga pacientët, i cili është dërguar për hospitalizim në QKUK. Në Mitrovicë deri më tani janë 13 raste aktive.