Ish- shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Federica Mogherini, ka gjetur punë të re në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres ka caktuar dje tetë anëtarët e tij, të cilët do t’i bashkohen grupit të tij të krijuar më 23 tetor, i cili do të merret me zhvendosjet e brendshme, transmeton rtv21 njoftimin.
Mogherini do të udhëheqë grupin prej gjashtë personave, së bashku me Donald Kaberuka, i cili është kryetar i Bordit të Fondit Global të luftës kundër SIDA-s, tuberkulozit dhe malaries, ka njoftuar zyra e sekretarit të Përgjithshëm të OKB. Si grup i parë i nivelit të lartë, i krijuar për të adresuar këtë sfidë globale, ai do të mbledhë ekspertizë nga qeveria, organizatat ndërkombëtare, shoqëria civile dhe sektori privat. Grupi gjithashtu përfshin përfaqësimin nga vendet veçanërisht të prekura nga zhvendosja.
Vitin e kaluar, numri i personave të zhvendosur si pasojë konfliktesh arriti në mbi 41 milionë. Në të njëjtin vit, 17 milionë njerëz të tjerë u shpërngulën nga katastrofat natyrore. Sekretari i Përgjithshëm e ka ngarkuar grupin që të gjejë zgjidhje konkrete afatgjata dhe të rrisë ndërgjegjësimin global për zhvendosjen e brendshme për shtetet anëtare dhe Kombet e Bashkuara për të përmirësuar përpjekjet e tyre për të ndihmuar të gjithë ata që preken, përfshirë të zhvendosurit dhe komunitetet e tyre pritëse.
Paneli do t’i paraqesë rekomandimet e tij përfundimtare sekretarit të përgjithshëm një vit pas takimit të parë, në fillim të vitit 2020. Ai do të mblidhet të paktën katër herë në Gjenevë, New York dhe vende të tjera.