Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se nesër do t’iu bashkëngjitet protestës së OVL-UÇK-së, e cila organizohet si kundërshtim ndaj Qeverisë, e cila nuk rriti pagën e veteranëve, në linjë të njëjtë me pagën minimale.
“Nesër do të protestoj. Bashkë me veteranët e UÇK-së që shteti i braktisi. Bashkë me ata që na e sollën lirinë e përpjekjen e të cilëve qeveria po e dënon. Bashkë me ata, të vetmit që shteti nuk i ndihmoi fare gjatë krizave t’kësaj kohe”, ka shkruar Molliqaj në një postim në Facebook, transmeton Klankosova.tv.
Molliqaj akuzoi kryeministrin Albin Kurti se ka sulmuar vazhdimisht veteranët e UÇK-së, ani se sipas Molliqajt, Kurti “është veteran i rrejshëm”.
“Dha para me miliona për biznese të mëdha, kurse veteranët don t’i lë edhe nën pagën minimale. Sepse nuk i do. Sepse kurrë s’e deshti luftën e tyre”.
“Nesër do të jemi në shesh, bashkë me ata që jetën e tyre e lanë peng për lirinë tonë. Dhe do të jemi bashkë me ta, përherë. Sepse lufta e tyre është projekti i lirisë, i barazisë e i progresit”, përfundoi Molliqaj.