Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka reaguar një ditë pas publikimit të vendimit për shtrenjtim të energjisë elektrike nga ZRrE.
Përmes një postimi në Facebook, Molliqaj ka thënë se çmimi i rrymës është rritur për të gjithë.
“E vërtetoi ZRrE-ja. Vendimi për rritjen e çmimit të rrymës u publikua. Çmimi është rritur për të gjithë. Për ata që shpenzojnë deri në 800 kWh rritja është 21%. Për ata që shpenzojnë mbi 800kWh, tarifa e lartë është rritur për 311.11% ndërsa e ulëta për 311.4%.”, ka shkruar ai.
Tutje, Mulliqaj shton se kërkesat e tyre të vazhdueshme për publikim të vendimit ishin legjitime për arsye se, sipas tij, ZRrE tentoi të mos e publikonte fare atë.
“Tash po e kuptojmë se pse tentuan të kalojnë pa e publikuar vendimin. Sepse vendimi është shumë më skandaloz se që u tentua të na shitej nga propaganda. Prandaj vetëm pas protestës tonë te zyret e ZRrE-së, dhunës policore ndaj aktivistëve dhe arrestimit dhe mbajtjes për 3 ditë në burg i 6 aktivistëve, qeveria dhe ZRrE u detyruan që të publikojnë mashtrimin e tyre. Mobilizimi qytetar po ka efekt. Ne e frenuam një vendim te dëmshëm, por nuk e kemi ndalur plotësisht. Prandaj përpjekjet duhet të jenë të përditshme dhe të përbashkëta.”, shtoi ai.