Fjalë Kyçe

Molliqaj: Sipas standardeve të tij, Kurti do të duhej ta shkarkonte Aliun

Molliqaj: Sipas standardeve të tij, Kurti do të duhej ta shkarkonte Aliun

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se sipas standardeve të kryeministrit Albin Kurti, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, do të duhej të shkarkohej dje.

Kjo pasi Liburn Aliut i është konfirmuar aktakuza nga ana e Prokurorisë, njofton Klan Kosova.

Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë të Molliqajt:

Partia në pushtet bëri fushatë me anti-korrupsionin si çështje qendrore, duke e adresuar si problem moral dhe duke shpallur krizë të etikës në marrëdhënien pushtet – qytetar. Diskursi i tyre moralist për vite me radhë ka problematizuar në mënyrë oportuniste dhe instrumentalizuese tema, probleme, çështje.

Secili potencialisht është i korruptuar nëse nuk bëhet pjesë e makinës kontrolluese të të pakorruptuarëve. Interpretimi i ndershmërisë, sikur edhe ai i keqpërdorimit dallon varësisht narratives së pushtetit për të mirën dhe të keqen, duke i dhënë natyrës njerëzore një esencë që definohet prej negatives, por që pushteti nga lartë e ka aftësinë dhe vullnetin për ta transformuar: ta ndërtojmë njeriun e ri.

Në anën tjetër, këta rojtarë të moralit, duke e vendosur veten si standard dhe interpretues final, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvleftësuar fjalën, ka relativizuar kuptime, sepse në këtë mënyrë e vërteta e tij është verdikti. Duke e zhvleftësuar fjalën në politikë ai po prek marrëdhënien e politikës me fjalën, me mendimin. E ne e dijmë që nëse në ushtri luftohet me armë, në politikë fjala ndërton dhe shkatërron.

Sipas standardeve të tij, Kurti do të duhej ta shkarkonte Liburn Aliun dje.

Dorëheqje!