A2 CNN ka siguruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë në një furrë buke në lagjen nr.12 të Durrësit, ku duket momenti kur një djalë i ri vjedh një celular, brenda në dyqan.
Nga kamerat e sigurisë është filmuar e gjithë ngjarja, ku shihet që hajduti me lehtësi e tërheq telefonin, i cili ndodhet në banak dhe më pas largohet, sapo shfaqet shitësja.
Personi, të cilit i është vjedhur telefoni, ka kërkuar që kushdo që e njeh këtë person të kontaktojë policinë, ndërkohë që ka bërë edhe denoncimin përkatës në komisariat.
Rastet e vjedhjeve janë të vazhdueshme në qytetin bregdetar. Jo më larg se një ditë më parë, policia e Durrësit njoftoi për prangosjen e 58-vjeçarit që bënte kërdinë në varrezat e qytetit, ku kishte vjedhur me dhjetëra vazo bronzi.