Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar se ka nisur hetimet ndaj zyrtarëve të Doganës së Kosovës, të cilët zbuluan skandalin e lirimit nga përgjegjësia për shamngie tatimore me rastin e importimit të një veture nga Morena Taraku. Rasti ishte mbyllur me urdhër të Prokurorisë, duke konstatuar se gjatë importit nuk ishte kryer shmangie tatimore, pavarësisht se Dogana e kishte konstatuar një gjë të tillë.
Lajmin për nisjen e hetimeve e ka konfirmuar për Gazetën Express, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit në Themelore, Kujtim Munishi.
Munishi ka thënë se zyrtarët e Doganës po hetohen për nxjerrje të dokumentit zyrtar.
“Kanë filluar hetimet nga Doganat. Informacioni ka dalë. Hetimet janë duke vazhduar me autorizim të Prokurorisë për nxjerrje të dokumentit zyrtar”, ka thënë Munishi për Express.
Gjate ditës se djeshme ka pasur reagime nga shoqëria civile për këtë rast.
Juristja e specializuar në fushën e mediave, Flutura Kusari ka thënë se prokurori Shpend Krasniqi me ndihmën e prokurorit Kujtim Munishi janë duke tentuar ta shkelin Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.
“Prokurori i parë që në mënyrë flagrante është duke tentu me e shkelë me dy këmbë Ligjin Fantastik për Mbrojtjen e Sinjalizuesve është prokurori Shpend Krasniqi, si duket me ndihmën e prokurorit Kujtim Munishi”, ka shkruar Kusari.
Ajo ka rikujtuar edhe një herë se ligji e ndalon në mënyrë specifike nisjen e hetimeve kundër sinjalizuesve dhe se ndjekja e tyre është vepër penale.
“Këta sinjalizues kemi me i mbrojtë”, ka shkruar tutje Kusari.
Ligji për sinjalizuesit garanton mbrojtje për të gjithë zyrtarët shtetërorë të cilët, me qëllim interesin e publikut, zbulojnë të dhëna rreth pretendimeve për abuzim me detyrën.
Ky ligj iu ofron mbrojtje nga të gjitha format e përndjekjes ndaj atyre që për interes publik shpalosin informacion i cili vë në dukje se është duke ndodhur apo ka gjasë të ndodhë ndonjë keqpërdorim.
Neni 6 i Ligjit për Sinjalizuesit pengon çfarëdo forme të pengimit të sinjalizimit.
“Çdo veprim ose mosveprim që synon pengimin e raportimit apo shpalosjes në interes publik, është i pavlefshëm dhe zyrtari përgjegjës apo cilido person tjetër në rastet përkatëse ndiqet penalisht sipas dispozitave penale në fuqi në Kosovë”- përcaktohet në Ligjin për Sinjalizuesit.
Për më tepër, hakmarrja ndaj Sinjalizuesve është edhe vepër penale e paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.