Fjalë Kyçe

Mori para duke u prezantuar rrejshëm si pjesëtar i FSK-së që mund të ndihmojë për shërimin e të dëmtuarës, dënohet me 1 vit burgim me kusht e 2,000 euro gjobë

Mori para duke u prezantuar rrejshëm si pjesëtar i FSK-së që mund të ndihmojë për shërimin e të dëmtuarës, dënohet me 1 vit burgim me kusht e 2,000 euro gjobë

I akuzuari Abert Musliu është dënuar me 1 vit burgim me kusht dhe 2,000 euro gjobë, pasi u shpall fajtor për veprën penale të mashtrimit në vazhdimësi.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall të enjten nga gjykatësja e rastit, Mimoza Shabani, raporton “Betimi për Drejtësi”.Sipas aktgjykimit, dënimi me burg nuk do të ekzekutohet nëse Musliu brenda periudhës verifikuese prej dy viteve, nga dita kur aktgjykimi bëhet i plotfuqishëm, nuk kryen vepër tjetër penale.

Kurse, gjobën ai është i obliguar ta paguajë në afat prej 30 ditëve, pasi që aktgjykimi të merr formën e prerë.Musliu gjithashtu obligohet që në afatit kohor prej 90 ditëve të dëmtuarave t’ua kompensojë dëmin e shkaktuar, përkatësisht shumën e përgjithshme prej 9,900 euro.“Në rast se i akuzuari brenda periudhës së lart cekur nuk e përmbush obligimin e tij, dënimi me kusht në kohëzgjatje prej një (1) viti do të ekzekutohet dhe të njëjtin do ta vuaj pasi aktgjykimi të merr formën e prerë.”, ka bërë të ditur gjykatësja Shabani.

Musliu është ngarkuar edhe me pagesën e shpenzimeve procedurale në shumën prej 20 euro, si dhe 50 euro tjera për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.Ndryshe, ai e kishte pranuar fajësinë në seancën fillestare të mbajtur më 23 qershor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktakuza ndaj Abert Musliut është përpiluar më 16 qershor 2021, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, me arsyetimin se ai ka kryer veprën penale “mashtrim” nga neni 323, paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, nga janari 2021 e deri më 27 prill 2021, në fshatin Sazli të Komunës së Ferizajt, duke vepruar në vazhdimësi, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, Abert Musliu duke u prezantuar si pjesëtar i FSK-së dhe duke u paraqitur në mënyrë mashtruese si person që ka mundësi të ndihmojë për shërimin e B.S., si dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe për t’i shkaktuar dëm material të dëmtuarave V.S. dhe B.S, i mashtron ato duke u premtuar se do të sigurojë fonde për mjekimin e të dëmtuarës B.S.

Aty thuhet se ai e vazhdon lajthimin, në atë mënyrë që duke ju paraqitur fatura, kinse të spitalit amerikan, iu kishte thënë se ishte shtyrë operimi i të dëmtuarës për shkak të shpenzimeve shtesë.Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës, ai i nxit të dëmtuarat t’i japin para në vlera prej 9,900 euro (të cilat të dëmtuarat i kishin grumbulluar në formë të ndihmës përmes shpalljeve në internet), 200 euro për shërimin e dhëmbëve, 2,000 euro për shërbime noteriale, 2.000 euro për ilaqe të mushkërive dhe 1,050 euro për shërimin e B.S. në Spitalin Amerikan në Prishtinë, si dhe 100 euro për shpenzime të udhëtimit kinse për në Turqi, 140 euro për doza të gjakut.

Më pas thuhet se iu kishte thënë të dëmtuarave se operacioni nuk mund të kryhet në Kosovë, por në Turqi ose Shqipëri, duke iu thënë se kishte marrë një udhëzim nga një doktor turk, me ç’rast i kishte dërguar të dëmtuarat në motelin “Denis” në Prizren që ta presin thirrjen kinse nga një doktor në Tiranë, por që i njëjti nuk ishte paraqitur më.

Me këtë, në aktakuzë thuhet se Abert Musliu në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Mashtrim” nga neni 323, paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të KPRK-së