Fjalë Kyçe

Mos të rrezikohet miqësia me SHBA-të, Kosova ta largojë taksën

Mos të rrezikohet miqësia me SHBA-të, Kosova ta largojë taksën

Janë bërë gati dy muaj që kur Qeveria e Kosovës ka vendosur taksë për produktet të cilat importohen nga Serbia dhe nga Bosnja e Hercegovina.

E disa javë pas këtij vendimi, Qeveria e Kosovës ka vendosur taksë edhe për brendet e huaja të cilat importohen në Kosovë nëpërmjet Serbisë.

Këto vendime të Kosovës kanë ngjallur reagime të mëdha përveç në vendet targete të taksës, por edhe në Bashkimin Evropian e edhe tek fuqitë e mëdha të botës.

BE nëpërmjet Mogherinit që nga vendosja e kësaj takse ka kërkuar vazhdimisht të largohet kjo taksë mirëpo Qeveria e Kosovës ka qëndruar konsistente në vendimin e saj.

E së fundmi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet një ultimatumi kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që më së largu deri me datën 21 janar të largohet 100 pwr qindëshi.

Në lidhje me këtë, lajmi.net ka kontaktuar me ekspertin e ekonomisë, Safet Gërxhaliu.

Ai  ka thënë se partneriteti i Kosovës me miqtë ndërkombëtar është i rëndësisë së veçantë e sidomos me SHBA-të që janë më meritorët për zgjidhjen e problemit të Kosovës.

“Partneriteti me miqtë ndërkombëtar është i rëndësisë substanciale për Kosovën. Në këtë drejtim duhet të kuptohet se në veçanti SHBA-të janë më meritorët për zgjidhjen e problemit të Kosovës”, tha Gërxhaliu.

Ai gjithashtu beson se është me më rëndësi një marrëveshje sesa të prishen marrëdhëniet në këtë drejtim.

“Dhe nëse SHBA-të do të udhëheqin procesin e dialogut dhe një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë do të nënshkruhet në Shtëpinë e Bardhë, atëherë besoj që shumë me më rëndësi është të kemi një marrëveshje të tillë sesa të prishen marrëdhëniet në këtë drejtim”, është shprehur ai.

Gërxhaliu beson se duhet të ketë më tepër dialog edhe sa i përket marrëveshjes ndërkombëtare edhe vendimit për taksen sepse një vendim i tillë nuk i bën nder askujt që të ketë qasje selektive në fund.

Ai është shprehur se një rekomandim i tillë i SHBA-ve duhet të shqyrtohet në mënyrë substanciale sepse ardhmëria e Kosovës është më me rëndësi sesa gjithçka tjetër.

“Mendoj që një rekomandim i tillë i SHBA-ve duhet të shqyrtohet në mënyrë substanciale sepse ardhmëria e Kosovës është shumë më e rëndësishme sesa mbrojtja e interesave të personave të caktuar, shumë më me rëndësi sesa pozitat e njerëzve në pushtet dhe Kosova dhe ardhmëria e saj duhet të jetë më me rëndësi sesa karrigia politika”, tha Gërxhaliu.

Ai gjithashtu ka shtuar se një kërkesë e tillë për Kosovën ka ardhur edhe më herët nëpërmjet letrës së Trumpit, së dyti duhet të kuptohet se Amerika kërkon pezullimin dhe jo eliminimin e taksës dhe së treti duhet të kuptohet se e tëra kjo është në favor të përgatitjes së një marrëveshje për të cilën po flitet.

“Dhe mbi të gjitha duhet të kuptohet që nëse deri tani kjo taksë nuk e ka arritur efektin e vet, atëherë do të jetë e kotë që të jetë edhe me vite. Është koha kur duhet të punohet më tepër për vetëdijesimin e qytetarëve dhe të kemi kampanja promovuese për këtë objektiv dhe në fund të fundit taksa të tilla e dëmtojnë më tepër për momentin procesin integrues. Duhet të mendohet në mënyrë afatgjatë për interesat e shtetit dhe jo përfitimet politike të një nacionalizmi dhe pseudopatriotizmi që më së paku i duhet Kosovës në këtë moment”, tha Gërxhaliu.

Ndërsa në anën tjetër, eksperti i politikave ndërkombëtare, Avni Mazreku, është shprehur se Kosova duhet të jetë argumentuese për nevojën e ekzistimit të kësaj takse.

“Qeveria e Kosovës duhet të jetë argumentuese me partnerin e saj strategjik që në këtë rast janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të vlerësohet edhe më thellësisht ekzistenca e kësaj takse ndaj produkteve serbe”, është shprehur Mazreku.

Vlen të theksohet se sot kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është shprehur se nëse Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, kjo taksë do të ekzistoj deri në vitin 2022.