Fjalë Kyçe

Motivimi i KEK-ut nga Llapi? Batatina e quan politikë të keqe të Prishtinës

Motivimi i KEK-ut nga Llapi? Batatina e quan politikë të keqe të Prishtinës

Mbrëmë nëpër media ka qarkulluar lajmi se Prishtina dhe Llapi do të japin një shumë të majme parash për KEK-un që ta ndalë Feronikelin në fundjavë.

Por, këtë gjë e ka mohuar kryetrajneri i Llapit, Tahir Batatina.

Madje, këtë e ka vlerësuar si politikë të Prishtinës që t’ia prishë raportet e mira që Llapi i ka me Feronikelin.

“Sa i përket Llapit, kjo është një gënjeshtër. Kjo është një politikë e Prishtinës. Ne nuk e motivojmë asnjë skuadër, sepse kam ekipin tim për ta motivuar. Ata e meritojnë të motivohen dhe jo skuadrat tjera”, deklaroi Batatina për Gazetasheshi.com.

Gjashtë xhiro para fundit të kampionatit, Llapi është dy pikë prapa Feronikelit dhe Prishtinës. Por, nëse arrin t’i fitojë të gjitha ndeshjet, do të dalë kampion.