Mohamed Salah ka bërë një rrugë të gjatë që nga dështimi në “Stamford Bridge” në radhët e Chelsea-t, por Jose Mourinho nuk mendon se ka bërë një gabim duke e lënë të lirë të largohej. Portugezi ka kundërshtuar ata që thonë se ai nuk e vlerësoi në mënyrën e duhur egjiptianin.
Salah u mor te Chelsea nga Mou në moshën 21 vjeç pas paraqitjeve të mira të bëra në radhët e Basel-it. Gjithsesi, koha e kaluar në “Stamford Bridge” nuk ka qenë aspak e bukur për sulmuesin, i cili u largua pas vetëm 18 muajve nga “Blutë”. Atë që ndodhi më pas e dimë të gjithë, por Jose Mourinho beson se është e padrejtë të akuzohet se ka shpërdoruar talentin e egjiptianit.
“Shumë gjëra janë thënë që nuk janë të vërteta”, ka shpjeguar ish-trajneri i Manchester United në një intervistë të dhënë për “BeINSPorts”. “Njerëzit gabojnë kur më identifikojnë mua si trajneri që e shiti Salah. Unë jam ai që e bleu. Unë luajtura kundër Basel-it në Champions League. Salah ishte akoma një fëmijë në atë kohë. Kur përballem me një ekip, unë analizoj skuadrën dhe lojtarët për një kohë të gjatë”.
“Unë rashë në dashuri me të dhe e bleva. E shtyva klubin ta blinte dhe në atë kohë kishim shumë lojtarë të mirë në sulm, si Hazard dhe Willian. Por unë thashë se duhej ta blinim. Ai ishte më shumë një sulmues krahu se një qendërsulmues”, ka shtuar Mourinho.
Sipas trajnerit portugez, vështirësitë për t’u përshtatur me ambientin e ri dhe mungesa e durimit kanë dëmtuar karrierën e tij te Chelsea. “Ai ishte vetëm një djalosh i humbur në Londër. Një djalosh i humbur në një botë të re. Ne donim të punonim me të, ta përmirësonim. Por ai donte të largohej dhe nuk priti”.