Fjalë Kyçe

Mungesa e psikologut në Prokurori shtyu intervistimin e 11-vjeçares së dhunuar për 16 ditë

Mungesa e psikologut në Prokurori shtyu intervistimin e 11-vjeçares së dhunuar për 16 ditë

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, deklaroi se Prokuroria ishte informuar për rastin e 11-vjeçares së dhunuar më 21 qershor, por që viktima nuk është intervistuar menjëherë për shkak të mungesës së psikologut në këtë institucion.

Intervistimi u shty për 16 ditë (21 qershor – 7 korrik).

Ulaj tha të hënën para mediave, se është dashur kohë që të sigurohet psikologu, duke shtuar se disa herë janë ankuar për mungesë të psikologut në Themeloren e Prishtinës.

“Prokurorit, si pasojë e mungesës së psikologëve, për të cilët kemi reaguar e kërkuar që të angazhojnë një të tillë, i është dashur kohë deri kur e ka intervistuar (të dhunuarën v.j.)”, deklaroi ajo.

Zëdhënësja e Themelores theksoi se Prokurorisë i është dashur edhe ekzaminimi i telefonit të viktimës për të pasur një raport dhe për të mbërritur te dëshmitë.

“Pas marrjes së ekzaminimeve, kanë arritur të zbulohen identitetet e personave të dyshuar, që janë arrestuar. Prokuroria nuk ka pasur mundësi të japë detaje për rastin e qershorit, procesi ka qenë komplet në zhvillim dhe në rrjedhën e hetimeve”, shtoi ajo.

Ulaj theksoi se dy prokurorë po e trajtojnë çështjen në dy raste të ndara. Sipas saj, në rast të paraqitjes së një vepër tjetër penale, do të merren masa të tjera.

Një 11-vjeçare dyshohet se u dhunua nga pesë persona në lagjen Arbëria në Prishtinë. Autoritetet i kanë arrestuar gjithsej 11 të dyshuar për rastin. Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se kryesit e veprës duhet të marrin dënimin meritor.