Fjalë Kyçe

Munishi: Kupën e fitojnë ‘Plisat’, shpresoj që Prishtina të luajë në Evropë

Munishi: Kupën e fitojnë ‘Plisat’, shpresoj që Prishtina të luajë në Evropë

Në emisionin sportiv “Favorit” në T7 mbrëmë u diskutuan shumë çështje me rëndësi për futbollin kosovar.

Gjithashtu, pjesë e emisionit ishte edhe finalja e Kupës së Kosovës mes Ballkanit dhe Prishtinës, e cila do të luhet këtë të mërkurë.

Drejtori gjeneral i Prishtinës, Artan Osmani dhe drejtori për media dhe marketing i Ballkanit, Kushtrim Reshitaj folën për ambiciet e klubeve të tyre në këtë ndeshje speciale, shkruan “Gazeta Express”.

Ndërkohë, mendimin e tij për këtë lojë e dha edhe analisti i “Favoritit”, Ismet Munishi, i cili shpreson që lojën ta fitojë Prishtina, e udhëhequr nga tifozët e saj të flaktë “Plisat”, dhe në këtë mënyrë ta sigurojë edhe daljen në Evropë, gjë të cilën e ka bërë Ballkani përmes kampionatit.

“Kupën e fitojnë Plisat. Nëse shkojnë masovikisht dhe bëjnë atmosferë siç dinë ata, që janë njëshi i tifozerisë. Kur e bëjnë ata atmosferën, janë ajo fryma që ia japin skuadrës. Nuk kam dyshime se do të jetë një atmosferë impozante, kudo që do të luhet loja. Plisat kanë ditur të luajnë rol shumë të rëndësishëm gjatë gjithë historisë së klubit. Dhashtë Zoti që Prishtina të luajë në Evropë. Ballkani e ka titullin, sherri i atyre aleatëve të vetë, lufton për Kupë, por s’kemi çka të bëjmë”, deklaroi fillimisht Munishi në “Favorit”.

“Dua t’i shoh dy skuadrat e mia duke luajtur në Evropë, edhe Prishtinën edhe Ballkanin. Kur të luan Prishtina në Evropë, do të shihni atmosferë. Po e shtrojnë barin në ‘Fadil Vokrri’, po e ndreqin mirë. Kupa do të jetë një shtysë e madhe për Prishtinën për sezonin tjetër. Nëse e fiton Kupën do të jetë potencialisht kandidate për titull sepse do të ketë përparësi në afat kalimtar, do të ketë mobilizim tjetër në klub, përfitojnë edhe financiarisht, në marketing, do të jetë edhe më atraktive për marketing. E Prishtina e fortë, është një kampionat i fortë i Kosovës. Kampionati tjetër do të jetë jashtëzakonisht i fortë”, përfundoi Munishi.