Trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi, i ka paralajmëruar kundërshtarët se triumfi i ekipit të tij kundër Dritës në derbin më të madh të futbollit kosovar është vetëm fillimi, duke thënë se qyteti i Gjilanit është kuqebardh.
Gjilani i Munishit e mposhti 2:0 Dritën në derbin e Anamoravës të dielën në Stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, duke ia shkaktuar humbjen e parë sezonale rivalit të qytetit, raporton Gazeta Express.
Gerhard Progni dhe Shën Kelmendi shënuan nga një herë në pjesën e dytë në Stadiumin Fadil Vokrri për t’ia siguruar tri pikët e plota Gjilanit ndaj një Drite që luajti me 10 futbollistë në gjysmë orën e fundit të ndeshjes.
Kjo ishte fitorja e parë e Munishit në derbin e Anamoravës në tri ndeshje në karrierën e tij si trajner dhe e afron skuasdrën e tij më pranë kreut të tabelës në Superligë.
Në një reagim në Facebook disa orë pas ndeshjes, 46-vjeçari ia kushtoi fitoren presidentit të klubit, Florim Zuka, dhe grupit të tifozëve “Skifterët”.
“Urime President Florim Zuka. Urime Skiftera”, shkroi Munishi.
“Faleminderit shumë djemve për emocionet dhe luftën në Fadil Vokrri. Qyteti është i joni. Lufta veç sa ka filluar”, shtoi ai.
Ky triumf e rikthen skuadrën e Munishit në pjesën e lartë të tabelës dhe vetëm tri pikë larg vendit të parë, Ballkani, që ka 12 pikë pas gjashtë javëve. Drita bie në vendin e tretë me 11 pikë.
Kjo ishte fitorja e parë e Gjilanit pas dy barazimeve dhe një humbjeje në tri ndeshjet e fundit dhe erdhi mu në kohën e duhur për Munishin