Feronikeli si kampion dhe Prishtina si nënkampione e Kosovës në futboll për edicionin që përfundoi kohë më parë e përfaqësuan Kosovën në garat ndërkombëtare.
Përderisa Feronikeli ishte pjesë e ndeshjeve parakualifikuese për Ligën e Kampionëve, Prishtina në anën tjetër ishte pjesë e garave po ashtu paraeliminatore për Ligën e Evropës.
Feronikeli arriti që të kualifikohet për rrethin e parë eliminator të Ligës së Kampionëve, pasi doli fitues në turneun parakualifikues të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, skuadra më e suksesshme në vend, ajo që drejtohet nga trajneri Mirel Josa, arriti që të luajë baras (1:1) në ndeshjen e parë ndaj skuadrës së Gjibraltarit, St. Joseph’s.
Trajneri Ismet Munishi, që pak vite më parë e kishte udhëhequr Vushtrrinë drejt titullit të kampionit të Kosovës, duke folur për “Zërin” tha se Feronikeli nuk është paraqitur ashtu siç e kishin pritur të gjithë, përderisa për Prishtinën mendon se do të kualifikohet 100 për qind.
Image“Feronikeli nuk është paraqitur ashtu siç kemi pritur dhe në nivelin e cilësisë që ka. Por i rëndësishëm është kualifikimi dhe dëshira e madhe për sukses nga organika e këtij klubi. Gjithsesi fitorja ishte fantastike”, tha trajneri prishtinas i cili tashëm e drejton Ballkanin e Therandës.
“Prishtina bëri lojë të bukur, krijoi shumë raste për shënim, ishte ndeshja më e mirë në dy vjetët e fundit, por Prishtina nuk guxon të pranojë gola të tillë si me qenë skuadër amatore dhe ky gol e futi shumë në presion skuadrën. Gjithsesi Prishtina kualifikohet më tutje 100 për qind dhe do të kemi ngritje ‘stratosferike’ në rejtingun e UEFAs”, tha Ismet Munishi për “Zërin”.
Ndeshja St Joseph’s – Prishtina zhvillohet nesër duke filluar nga ora 17:45, në stadiumin ‘Victoria Stadium’ në Gjiblartar.