Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, gjatë një interviste para nisjes për në Belgjikë për t’u zyrtarizuar si lojtar i Club Brugge ka thënë se do të ishte nder të ishte nënshkrimi i tyre më i shtrenjtë ndonjëherë, transmeton Gazeta Metro.
Gjiganti kosovar pasi kaloi një periudhë fantastike si i huazuar te Mallorca, do të transferohet te skuadra belge për të vazhduar karrierën e tij.
Ai ka thënë se kishte pasur disa oferta nga skuadra të ndryshme, por në fund kishte vendosur së bashku me menaxherin e tij kontratën më të përshtatshme.
”Kam pasur një gjysmë sezon të mirë në Mallorca, performanca ime ishte e mirë. Kishte disa oferta nga atje, kështu qe në kërkuam kontratën më të përshtatshme. Club Brugge? Do të ishte një nder të isha nënshkrimi i tyre më i shtrenjtë ndonjëherë, por unë jam ende nën kontratë me Lazio dhe ajo që vendos klubi është më e rëndësishme se unë,” tha ai për A Spor.
28-vjeçari kosovar më herët përmes një postimi në Twitter falënderoi tifozët dhe drejtuesit e Mallorcas, duke thënë: ”Ju gjithmonë më keni trajtuar si një Mallorcan i vërtetë dhe keni qenë shumë mbështetës. Ju më keni bërë të ndihem si në shtëpinë time që nga minuta e parë. Faleminderit për këta 6 muaj të mrekullueshëm.”
Ai ishte huazuar në Spanjë nga Lazio gjatë afatit kalimtar të janarit dhe impakti që kishte pasur në skuadrën spanjolle kishte qenë i jashtëzakonshëm.