Në rrethana normale Vedat Muriqit do t’i duhej edhe pak kohë për t’u kthyer në fushë pas lëndimit të rëndë që pësoi në ndeshjen që Kosova e fitoi ndaj Izraelit në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Por sulmuesi u kthye para kohe, pas lëndimit të pësuar në nëntor. Fundjavën e kaluar luajti dhjetë minutat e fundit të ndeshjes në barazimin e Mallorcas ndaj Villarrealit.
Për t’u kthyer më herët se që ishte pritur, Muriqi thotë se ka sakrifikuar shumë.
“Nuk kam kursyer asgjë për t’u kthyer sa më shpejt”, tha Muriqi të martën për KOHËN.
Ai insiston se nuk kurseu asgjë edhe kur u paraqit për Kosovën në fushën e rënduar nga lloçi në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër Izraelit më 12 nëntor.
“Nuk jam pishman pse erdha dhe u lëndova aty, sepse u lëndova duke dhënë gjithë fuqinë që kam pasur për shtetin tim”, ka theksuar golashënuesi më i mirë i Kosovës. Muriqi për Kosovën ka shënuar 26 gola në 50 ndeshje. Ndaj Izraelit ishte kapiten i Përfaqësueses.
Para se të lëndohej, Muriqi ishte shënuesi më i mirë te Mallorca, skuadra e elitës spanjolle. Në 13 paraqitje në La Liga këtë edicion ka shënuar katër gola dhe ka bërë dy asistime.
“Jam shumë i lumtur për kthimin në fushë. Por ende nuk jam 100 %. Me kalimin e kohës dhe ushtrimeve që do t’i kem, do të bëhem gati shumë shpejt. Kam sakrifikuar shumë në këtë periudhë të lëndimit. E ndiej veten më të fuqishëm”, është shprehur Muriqi.
Të lumtur me kthimin e Muriqit janë shprehur edhe te Mallorca. Ai është bërë lojtari më i pëlqyer nga tifozët e kësaj skuadre.
Dashurinë që tifozët e Mallorcas kanë ndaj tij e ndien edhe sulmuesi prizrenas.
“Jam i lumtur që jam këtu dhe ndiej dashurinë e gjithë njerëzve këtu”, thotë shtatlarti.
29-vjeçari Muriqi është i lumtur që ka ende mundësi t’i shërbejë Kosovës.
“Kur luaj me fanellën e Kosovës e shijoj çdo sekondë dhe ndihem krenar dhe i privilegjuar që kam mundësi të luaj për Kosovën”.
Ai uron të mos pensionohet nga Përfaqësuesja pa përjetuar emocionet e paraqitjes në Botëror apo Evropian.
“Kam besim se do t’ia dalim, sepse e shoh forcën kolektive që kemi. Jemi një Kombëtare shumë e talentuar. Besoj që na mungojnë pak gjëra brenda fushës për të arritur qëllimin. Pra, të kualifikohemi në ndonjë ngjarje të madhe”, ka thënë Muriqi.
Ai është pjesë e Kosovës prej vitit 2016. Para se t’iu bashkohej “Dardanëve”, Muriqi luajti tetë ndeshje për Shpresat e Shqipërisë.
Lideri i Përfaqësueses pret që këtë vit Kosovës t’i bashkohen edhe shumë talente. Thotë se lojtarët vendimin për ta përfaqësuar Kosovën duhet ta marrin me zemër.
“Kosova nuk zgjidhet, por ndihet. Nëse kanë ndjenja për Kosovën, atëherë nuk duhet të bëhet pazar për karrierën personale”, ka thënë Muriqi.
Kosova është në kërkim të një selektori të ri, ndërsa në mars pritet të luajë ndeshje miqësore para se në vjeshtë të vazhdojë me ndeshje garuese.