Fjalë Kyçe

Muriqi në mes të Turqisë dhe Anglisë

Muriqi në mes të Turqisë dhe Anglisë

Sulmuesi në largim i Lazios do të vendosë në ditët apo javët në vazhdim për klubin e tij të ardhshëm

Vedat Muriqi i ka bërë valixhet gati për t’u larguar nga Lazio.

Sulmuesi kosovar i ka dhënë fund eksperiencës italiane dhe tash po sheh përpara.

27 vjeçari ka oferta nga Turqia dhe nga Anglia dhe do të vendosë përfundimisht në ditët apo javët në vazhdim.

Në Turqi dihet tashmë botërisht se e duan ish-klubi i tij, Fenerbahçe dhe gjiganti tjetër nga Stambolli, Galatasaray.

Mirëpo, një tjetër pistë e nxehtë e javës së fundit është edhe Anglia.

Atje, përfaqësuesin kosovar e do me ngulm Hull City, përcjell expres.

Klubi nga Championshipi anglez e do lojtarin në formë huazimi, për ta blerë më pas gjatë verës që vjen.

Por, Lazio duket se është e vendosur vetëm për ta shitur ish-futbollistin e Rizesporit.

Mbetet të shihet nëse klubi nga niveli i dytë i futbollit anglez do të jetë i gatshëm t’i paguajë këtë muaj 10 milionë euro për ta bërë të vetin Muriqin.

Edhe dy gjigantët turq e preferojnë më shumë huazimin e lojtarit, përcjell “Gazeta Express”.

Sidoqoftë, e sigurt është që Muriqi do të largohet përfundimisht nga Lazio këtë muaj.

Ai dështoi ta tregonte veten në Itali për një vit e gjysmë dhe tash është koha për t’u larguar.

Në këtë periudhë, sulmuesi shtatlartë i ka realizuar dy gola, të pamjaftueshme për ta siguruar qëndrimin tek “Biancocelesti”.

Ai ka kontratë me Lazion deri në vitin 2025.

Klubi italian e kishte blerë Muriqin për afro 20 milionë euro në verën e vitit 2020.