Fjalë Kyçe

Muriqi: Shpresoj ta tregoj Muriqin e vertetë në Itali

Muriqi: Shpresoj ta tregoj Muriqin e vertetë në Itali

Vedat Muriqi që disa javë ka nisur përgatitjet për sezonin e ri me Lazion, nën drejtimin e trajnerit të ri Maurizio Sarri.

Pavarësisht thashethëmeve mediale për largim, sulmuesi kosovar pritet të qëndroj te Lazio edhe një sezonë.

27-vjeçari nuk kaloi mirë në edicionin e parë me klubin italian por sivjet shpreson të tregojë aftësitë e tij.

“Shpresoj të jem në gjendje të tregoj Muriqin e vërtetë në këtë ligë. Dua të arrij në fund të sezonit dhe të jem në gjendje të flas për Muriqin e vërtetë. Trajneri do të vendosë për zgjedhjet dhe do të na duhet pak kohë për t’u përshtatur, por ne jemi lojtarë profesionistë dhe kemi një nga trajnerët më të mirë në botë në krye” deklaroi Muriqi për Lazio Style Channel, transmeton Indeksonline.

Për raportin me trajnerin Maurizio Sarri, Muriqi shprehet: “Trajneri flet me të gjithë, ne nuk kemi pasur biseda private, nuk mendoj se do të ketë ndonjë nevojë, por në çdo rast do të jem i lumtur që mund të flas me të në privatësi. Ai është një person i sinqertë”

Sulmuesi kosovar ka folur edhe për futbollistët shqiptarë që luajnë te Lazio.

“Unë kam luajtur me Hysaj dhe Strakosha kur ishim të gjithë në përzgjedhjen e Shqipërisë U-21. Hysaj është një lojtar i shkëlqyeshëm, ai e njeh futbollin e Sarrit, ai është një anësor i shkëlqyeshëm” përfundoi Muriqi.