Vedat Muriqi është duke e kaluar njërin prej sezoneve më të mira në karrierë.
Sulmuesi kosovar i ka realizuar 12 gola dhe i ka bërë dy asistime deri tash në La Liga duke i rivalizuar edhe yjet si Robert Lewandowski e Karim Benzema, të cilët janë favoritë për ta fituar “Pichichin”.
E kjo ka bërë që përfaqësuesin kosovar ta pëlqejnë disa skuadra, përfshirë këtu ato në La Liga, në Premierligë dhe në Serie A.
Në Spanjë, “Piratin” po vazhdon ta ndjekë Sevilla, raporton mediumi “Fichajes”, përcjell “Gazeta Express”.
Gjatë verës, trajneri Sampaoli do t’ua kërkojë sulmuesin shtatlartë drejtuesve të klubit nga Sanchez Pizjuan.
Drejtuesit e Mallorcas nuk janë të gatshëm të negociojnë për një shumë më të ulët sesa klauzola e vendosur në kontratën e tij, që thuhet se e kap shifrën e 40 milionë eurove.
Natyrisht, këtë shifër klubi andaluzian nuk është i gatshëm ta paguajë, duke shpresuar që ta gjejë një zgjidhje dhe ta marrë atë më lirë.
Muriqi ka thënë se ndihet mjaft i mirë në klubin ishullor spanjoll, ku ndihet mjaft i dashur dhe i vlerësuar edhe nga tifozët, por që futbollit nuk i dihet kurrë.
Me një ofertë të majme, edhe Mallorca mund të heq dorë nga “Pirati” dhe lojtari i saj kryesor.