Fjalë Kyçe

Musk thotë se do ta kthente Trumpin në Twitter

Musk thotë se do ta kthente Trumpin në Twitter

Pronari i kompanisë Tesla, Elon Musk, thotë se nëse oferta e tij për të blerë rrjetin social Twitter është e suksesshme, ai do të anulojë suspendimin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump nga kjo platformë.

Njeriu më i pasur në botë ra dakord për një ofertë prej 44 miliardë dollarësh me bordin e Twitter muajin e kaluar.

Por ai tha se nuk ishte një marrëveshje e përfunduar dhe se në mënyrë ideale marrëveshja do të përfundohej në dy deri në tre muajt e ardhshëm.

Vendimi i Twitter-it për të ndaluar ish-presidentin amerikan ishte “moralisht i gabuar dhe absolutisht budallallëk”, tha Musk në samitin e Financial Times “E ardhmja e veturës”.

Në muajin janar 2021, Twitter-i tha se llogaria e ish-presidentit Donald Trump ishte “pezulluar përgjithmonë…për shkak të rrezikut të nxitjes së mëtejshme të dhunës” pas trazirave në të cilat protestuesit sulmuan objektet qeveritare amerikane në Uashington.

Musk i tha Financial Times: “Unë do ta anuloja pezullimin e përhershëm, por nuk e kam ende Twitter-in, kështu që kjo nuk është një gjë që do të ndodhë patjetër”.

Ai tha se pezullimi nuk e kishte heshtur ish-presidentin Trump, por duke e bërë atë të lëvizte në rrjetin e tij social Truth Social, ai kishte përforcuar zërin e tij mes të djathtës ekstreme.

Ai vuri në dukje se zoti Trump kishte thënë më parë se nuk do të kthehej në Twitter edhe nëse llogaria e tij do të rivendosej.

Musk tha se kishte folur me bashkëthemeluesin e Twitter, Jack Dorsey, për çështjen e mbylljes së llogarive të përdoruesve si përgjigje ndaj postimeve fyese.

“Ai dhe unë kemi të njëjtin mendim se ndalimet e përhershme duhet të jenë jashtëzakonisht të rralla dhe të rezervuara për llogaritë që janë llogari të rreme”, tha Musk.

Musk tha se nëse dikush poston diçka “të paligjshme ose ndryshe shkatërruese për botën”, duhet të pezullohet përkohësisht ose postimi duhet të bëhet i padukshëm.

Ai tha se Twitter duhet të ndërtojë më shumë besim duke ndarë algoritmin e tij dhe duke u kërkuar njerëzve të bëjnë sugjerime se si ta përmirësojnë atë.