Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë sot në programin “Zgjedhjet në KOHË” të KTV-së se që pas zgjedhjeve të vitit 2010 nuk ekziston më përralla e mbushjes së kutive të votimit me persona që kanë vdekur.
Musliu ka thënë se beson që zgjedhjet e sotme do të zhvillohen në mënyrë të rregullt për shkak se siç ka thënë shihet një mobilizim i madh i policisë, gjyqësisë e prokurorisë në këtë drejtim.
“Ata që kanë qenë të përfshirë në procese zgjedhore në role të ndryshme e kanë kuptuar se nuk është më ajo përralla që ka ekzistuar ku kutitë e votimit janë mbushur edhe me persona që kanë qenë të vdekur. Tash ka një mobilizim shumë më të madh të policisë, prokurorisë dhe gjyqtarëve. Reagimet deri më tani kanë qenë efikase. E kujtojmë të kaluarën kur nuk ka pasur veprime në përndjekjen e atyre që janë përfshirë në krime të zgjedhjeve. Ndërkaq pas zgjedhjeve të vitit 2010 kemi pasur ngritje të aktakuzave për ata që kanë bërë krime zgjedhore në zgjedhjet e vitit 2010”, ka thënë Musliu.
Ai ka bërë të ditur se IKD-ja ka 51 monitorues në ekipe mobile në zgjedhjet e sotme parlamentare.